Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu e shoqeruar nga kryeministri Rama, kanë ndjekur nga afër fillimin e procesit të vaksinimit të mësuesve në qytetin e Fierit.
“Kemi filluar edhe në Fier procesin e vaksinimit, kemi 3 shkolla të hapura ku po vaksinohen sot mësuesit. Vetëm në 4 ditët e para kemi vaksinuar 2664 mësues ose 7.2% të totalit të mësuesve që kemi në të gjtihë vendin. Procesi ka ecur shumë mirë, shkollat tashmë bashkë me strukturat e shëndetësisë janë në funksion të plotë të këtij procesi, për ta përmbyllur sa më mirë dhe sa më shpejt”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije vendimin e Komitetit Kombëtar të Imunizimit.
“Dje Komiteti Kombëtar i Imunizimit ka marrë vendimin për të vijuar vaksinimin me vaksinën AstraZeneca. Sigurisht do të pritet edhe vendimi i Agjencisë Europiane të Barnave, por ne po e monitorojmë me shumë kujdes të gjithë procesin”, tha Manastirliu.
Procesi i vaksinimit antiCOVID ka vijuar me kalendar të kombinuar për mësuesit, të moshuarit mbi 80 vjeç dhe personelin shëndetësor, në pikat e përqëndruara dhe në shkolla dhe që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 30,031 vaksinime.