Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka marrë pjesë në Samitin e Ministrave të Ballkanit Perëndimor. Samiti u drejtua nga Ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn, në kuadër të Procesit të Berlinit. Manastirliu u shpreh se situata epidemiologjike në Shqipëri është përmirësuar, si dhe kërkoi njohjen e çertefikatës elektronike të vaksinimit nga vendet e BE-së.
“Njohja e përbashkët e certifikatës elektronike të vaksinimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perendimor dhe vendeve të Bashkimit Europian është e domosdoshme: E para, sepse vendet e Ballkanit Perendimor kanë një nivel të ulët të përhapjes së infeksionit; e dyta, për shkak të lidhjeve të ndërsjellta dhe shkëmbimit që ekziston mes vendeve të Ballkanit Perendimor dhe vendeve të Bashkimit Europian dhe e treta, për rëndësinë strategjike që ka turizmi për ekonomitë e vendeve tona. Ndaj unë do të doja të përfitoj nga ky rast, për të sjellë në vëmendjen e kolegëve të nderuar në këtë takim, që certifikata jonë, të njihet nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian, për të ndihmuar qytetarët tanë të udhëtojnë të sigurt dhe të lirë”,tha Manastirliu.
Ndërsa Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim Oliver Varhelyi, gjatë fjalës së tij u shoreh se 3 vende të Ballkanit Perëndimor, duke përfshië këtu edhe vendin tonë, janë të sigurta dhe mund të lëvizin lirshëm.
Nga ana tjetër Ministri gjerman Jens Spahn, u shpreh se bashkëpunimi mes vendeve është shumë i rëndësishëm në lidhje me udhëtimin e sigurtë, por gjithashtu bëri thirrje për kujdes nga varianti Delta i Covid.
“Është shumë i rëndësishëm forcimi i bashkëpunimit mes vendeve sa i takon ‘udhëtimit të sigurt’. Për Gjermaninë, vendet e Ballkanit Perendimor tashmë janë zona me risk të ulët të përhapjes së Covid19. Por duhet parë me kujdes varianti Delta, i cili duhet thënë se po përhapet edhe në Gjermani”, tha Spahn.