Goditet një tjetër rast i zhvillimit të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit.
Blutë e Lezhës kanë ushtruar kontroll të imtësishëm në disa lokale dhe ambiente të ndryshme në Kurbin, Milot dhe Lezhë. Si rezultat i kontrolleve të ushtruara në vijim të operacionit “Fati i lojërave”, në aksin rrugor Milot-Thumanë, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e shtetasit Gj. P., që menaxhohej nga shtetasi A. K., kanë gjetur dhe sekuestruar 32 makineta që shërbenin për zhvillimin e lojërave të fatit dhe 2.500.000 lekë të rinj.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar ndaj shtetasit E. L., klient në lokal, i kanë gjetur një armë zjarri pistoletë, me krehër me 8 fishekë, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve, specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar kanë vënë në pranga shtetasit:
Gj. P., 29 vjeç, banues në Mamurras, pronari i lokalit dhe A. K., 41 vjeç, menaxheri i lokalit, banues në Thumanë, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “Pastrimi i produkteve të veprës ose veprimtarisë kriminale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.
E. L., 29 vjeç (klient në lokal), për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit luftarak”.