Policia e Lezhës ka bërë të mundur identifikimin e autorëve të plagosjes së 22-vjeçarit në Lezhë.
Mësohet se tre persona të moshave, 29, 26 dhe 27 vjeç kanë dhunuar me mjete të forta 22-vjeçarin dhe më pas e kanë plagosur me armë zjarri në këmbë.
Ngjarja ka ndodhur për një konflikt çasti në ambientet e jashtme të një bilardoje.
Tre autorët janë shpallur në kërkim dhe policia po punon për kapjen e tyre.
Njoftimi i plotë:
Lezhë/Dhunuan fizikisht dhe plagosën me armë zjarri, një shtetas, mbrëmjen e djeshme, identifikohen dhe shpallen në kërkim autorët e dyshuar.
Rreth orës 22:30 të datës 08.05.2023, në Urgjencën e Spitalit Rajonal Lezhë, ka shkuar për ndihmë mjekësore, i plagosur me armë zjarri, në këmbë, shtetasi A. L., 22 vjeç, banues në Rrilë.
Menjëherë pas njoftimit, grupi hetimor ka filluar veprimet hetimore për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorit/ëve.
Si rezultat i punës hetimore profesionale intensive, u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorëve të dyshuar, shtetasve: L. F., 29 vjeç, Xh. F., 26 vjeç dhe A. Sh., 27 vjeç, të tre banues në Lezhë.
Këta shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pas një konflikti të çastit, në ambientet e jashtme të një bilardoje, në Lezhë, kanë goditur me mjete të forta shtetasin A. L., si dhe e kanë plagosur atë me armë zjarri, në këmbë.
Vijon puna për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.