Kryeministri Edi Rama ndodhet në Britani të Madhe ku po zhvillon një vizitë zyrtare. Takimi i Ramës me homologun e tij britanik, Rishi Sunak është programuar pasditen e sotme. Ky do të jetë takimi i parë zyrtar mes Ramës dhe Sunak. Ndër çështjet më të rëndësishme që do të diskutohet mes tyre do të jetë ajo e emigrantëve të paligjshëm shqiptarë. Një vëmendje do të marrë edhe çështja e krimit të organizuar, si dhe bashkëpunimi bilateral mes dy vendeve.
Në tavolinën e bisedimeve do jenë hapat konkretë që do të ndiqen për të vënë në jetë një marrëveshje paraprake të rënë dakord mes Ramës dhe Sunak gjatë një bisede telefonike që kanë zhvilluar në muajin dhjetor të vitit që lamë pas. Në këtë bisedë telefonike, dy liderët kanë rënë dakord që problemi i kthimit të azil-kërkuesve shqiptarë që u refuzohet azili, në mënyrë që ata të mos mbahen gjatë në Britani, por kthimi i tyre në atdhe të realizohet më shpejt.
Përveç takimit me Sunak, Rama do të mbajë një fjalë në “London School Economy” dhe do të marrë pjesë në një takim që zhvillohet në Ministrinë e Jashtme britanike ku do të jenë pjesëtarë të komunitetit shqiptar si dhe nga komunitete të tjera. Të premten është programuar edhe një takim mes ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi me homologen britanike Suella Braverman.