I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak thotë se ky proces është “në binarët e duhur, por nuk është një autostradë e shpejtë”.
“Është më shumë një rrugëtim i gjatë me kthesa”, tha Lajçak, në një ngjarje të organizuar nga Komisioni për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian, për të diskutuar për situatën në rajon, 25 vjet pas Marrëveshjes së Dejtonit, që i dha fund luftës në Bosnjë e Hercegovinë.
Lajçak tha se është i gatshëm që ta lehtësojë këtë proces, drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.
“Unë jam i angazhuar për të lehtësuar dialogun për të arritur marrëveshjen gjithëpërfshirëse, me të cilën njëherë e përgjithmonë, do të zgjidheshin të gjitha çështjet e hapura mes palëve dhe të jetë edhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe ligjet e BE-së”, tha ai.
Ai po ashtu tha se ishte detyrë e tij që ta zhbllokojë procesin e dialogut, ku prej fundit të vitit 2018 deri në korrik të këtij viti, bisedimet ishin ndalur për shkak të një takse të vendosur nga Kosova ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, që u pasua me masat e reciprocitetit.
I dërguari i BE-së falënderoi kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për lidershipin e treguar, teksa theksoi se në disa takime, palët janë pajtuar për disa tema, që sipas tij do të jenë pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse.
I pyetur nga shefi i delegacionit të Parlamentit të Serbisë se a ka kuptim dialogu pasi Kosova nuk po i përmbush obligimet nga marrëveshjes e arritura më parë, përfshirë edhe atë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Lajçak tha se “nuk duhet pasur frikë se do të arrihen marrëveshjet që nuk do të zbatohen”.
“Jemi shumë të qartë se po negociojmë marrëveshjen e cila do të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura mes palëve. Por, në të njëjtën kohë edhe ato që janë arritur si marrëveshje më parë e nuk janë zbatuar, ne duam të bëjmë të qartë se gjithçka për çka është arritur pajtim më parë duhet të zbatohen. Po e diskutojmë këtë, përfshirë edhe afatet kohore, edhe mekanizmat e zbatimit dhe monitorimit. Nuk ka arsye të frikësohemi se marrëveshjet që do të arrihen por nuk do të zbatohen”, u shpreh ai.
Në këtë debat të organizuar nga Komisioni për Politikë të Jashtme të PE-së, Komisionari për Zgjerim, Oliver Varhelyi përsëriti qëndrimin e BE-së se bashkëpunimi rajonal është kyç për avancimin në rrugëtimin evropian dhe se në rastin e Serbisë dhe Kosovës kjo nënkupton angazhimin në dialog për të arritur marrëveshjen gjithëpërfshirëse.
Varhelyi tërhoqi vërejtjen se ekziston një dallim i madh social në mes të BE-së dhe vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Prandaj, ai tha se BE-ja ka nismën për investime në Ballkan.
Komisioneri Varhelyi po ashtu përsëriti qëndrimin e BE-së se bashkëpunimi rajonal është kyç për avancimin në rrugëtimin evropian dhe se në rastin e Serbisë dhe Kosovës kjo nënkupton angazhimin në dialog për të arritur marrëveshjen gjithëpërfshirëse.
Shumë folës në këtë debat, ku u përfshin edhe përfaqësuesit e parlamenteve nacionale të vendeve anëtare të bllokut dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, thanë se duhet të zvogëlohet ndikimi i Rusisë dhe Turqisë në këtë rajon. Sipas tyre, një gjë e tillë është e mundur vetëm përmes afrimit të këtyre shteteve me BE-në dhe avancimit në procesin integrues. Nisja e negociatave me Maqedoninë e veriut dhe Shqipërinë u përmend si test për kredibilitetin e BE-së në këtë drejtim./ REL