13 nga 16 të arrestuarit e grupit të kanabisit kanë dalë këtë të martë para gjykatës së Krujës.
Ata do të njihen me masën e sigurisë, ndërsa akuzohen nga prokuroria për “kultivim të bimëve narkotike”.
Operacioni për kapjen e tyre u zhvillua ditën e shtunë në fshatrat e Niklës, Halilit dhe Arramerasit të rrethit të Krujës, ndërsa morën pjesë forcat Renea, ato të ndërhyrjes së shpejtë nga Tirana dhe Fieri si dhe policia e Durrësit.
Gjatë ndërhyrjes u zbulua dhe u sekuestrua një laborator që shërbente për kultivimin e bimëve narkotike me anë të ngrohjes me llamba, fidanë kanabisi si dhe 5 automjete e prova të tjera materiale.
Laboratori i drogës ishte ngritur në ambientet e brendshme të një banesë në fshatin Halil ku ishin kultivuar bimë kanabisi. Ndërkohë shumë fidanë të tjerë bimësh narkotike u gjetën të mbjellë edhe në sera të ndryshme .
Krahas 16 të arrestuarve, policia ka shpallur në kërkim dhe 24 persona të tjerë të dyshuar si të implikuar në aktivitetin kriminal të kultivimit të kanabisit.