Në prag të nisjes së vitit të ri akademik, ministrja e Arsimit dhe e Sportit Evis Kushi ka uruar të gjithë studentët e pedagogët.
Ndryshe nga një vit më parë studentët dhe pedagogët do të jenë në auditor me kushtin që të jenë të vaksinuar.
“Ky fillim viti është një moment veçanërisht i rëndësishëm për të gjithë ne, sepse përkon pikërisht me fundin e emergjencës së një pandemie që na detyroi të heqim dorë dhe të sakrifikojmë shumë gjëra prioritare të jetës sonë. Por së bashku ne ia dolëm që të përshtatemi në kohë rekord me kufizimet dhe kushtet e reja. Madje edhe në muajt më të vështirë të krizës ne nuk qëndruam në pritje, por kemi kërkuar të gjitha mënyrat e mundshme se si të vazhdonim përpara me leksionet, seminaret, konferencat e çdo aktivitet tjetër pjesë e kurrikulave universitare”, shprehet Kushi.
Ajo nënvizon se fatmirësisht, “sot falë efekteve pozitive të fushatës masive të vaksinimit, por edhe falë një ndërgjegjësimi më të lartë personal dhe kolektiv për të respektuar protokollet e institucioneve shëndetësore, më në fund ne po e nisim vitin e ri akademik me prezencë fizike në auditore”.
Ndërkohë, Ministrja Kushi përsërit apelin ndaj të gjithë të pavaksinuarve që nuk kanë pasur mundësi, për tu vaksinuar në vijim:
“Ne besojmë që universiteti nuk formon vetëm profesionistë apo shkencëtarë të fushave të ndryshme, por formon qytetarët e një shoqërie, të cilët mësojnë të jenë anëtarë të një komuniteti duke respektuar të drejtat e njëri-tjetrit. Dhe kjo është e pamundur të realizohet duke qëndruar përpara ekranit të një kompjuteri apo telefoni celular, por vetëm nëpërmjet ndërveprimit me pedagogët tuaj, kolegët dhe duke u parë sy me sy me njëri-tjetrin“, thekson ajo.