Data 6 shkurt është dita e fundit e punës për guvernatorin aktual të Bankës së Shqipërisë. Gent Sejko mbaron mandatin e tij 7-vjeçar në krye të institucionit më të lartë monetar.
Por edhe pse jemi pak ditë nga skadimi i këtij afati kushtetues, nuk ka ende një emër të ri nga kreu i shtetit, i cili më pas do të gjejë miratimin ose jo të mazhorancës në kuvendin e Shqipërisë.
Sipas ligjit guvernatori duhet të jetë një anëtarë i këshillit mbikëqyrës, struktura më e lartë vendimmarrëse në Bankën e Shqipërisë. Deri më tani ajo që dihet është se ky këshill ka propozuar emrin e Genti Sejkos, për një mandat të dytë në krye të bankës.
Kjo vendimmarrje e këshillit e bën z.Sejko një kandidat për të drejtuar sërish Bankës e Shqipërisë në rast se do të ketë një garë për këtë pozicion.
Por emri i guvernatorit duhet të ketë konsensus mes kreut të shtetit dhe kuvendit, pasi kandidatura duhet të miratohet nga të dy këto institucione.
Aktualisht, në Këshillin Mbikëqyrës janë edhe dy vende vakante, pasi dy prej anëtarëve u ka mbaruar mandati 9-vjeçar, Tonin Kola dhe Natasha Ahmetaj e cila aktualisht mban postin e zv/guvenatores. Për të dy këto vakanca 17 kandidatë kanë shfaqur interes, por ende nuk është shprehur Kuvendi i Shqipërisë.
Genti Sejko e nisi mandatin e tij në vitin 2015, pas largimit të Ardian Fullanit pas skandalit të vjedhjes së thesarit të shtetit në 2014.