Arrestohen 3 persona të shpallur në kërkim për kultivim kanabisi në Malësi të Madhe.
Në pranga janë vënë shtetasit: Marash Therqaj, 60 vjeç (babai) dhe Elton Therqaj, 25 vjeç dhe Danjel Therqaj, 21 vjeç (dy djemtë), banues në fshatin Bratosh, Malësi e Madhe.
Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër i ka caktuar këtyre shtetasve, masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi në datën 20.08.2021, në fshatin Bratosh, në afërsi të banesës së tyre janë gjetur të kultivuara bimë narkotike canabis sativa.
Në lidhje me këtë rast, në datën 22.08.2021, janë arrestuar në flagrancë shtetasja E. M., 23 vjeçe, banuese në fshatin Bratosh, Malësi e Madhe (bashkëshortja e shtetasit Elton Therqaj), dhe një 15-vjeçar, pasi gjatë kontrollit në banesat e tyre, janë gjetur 10.2 kg lëndë narkotike kanabis dhe një armë zjarri pistoletë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasja E. M. dhe 15-vjeçari janë bashkëpunëtorë me shtetasit Marash Therqaj, Elton Therqaj dhe Danjel Therqaj (të ndaluar) dhe me 2 shtetasit e tjerë të shpallur në kërkim, D. Th. dhe M. P. (babai i 15-vjeçarit). Vijon puna për kapjen e tyre.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.