Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i bëri sot thirrje SPAK të hetojë dosjen e kompleksit “Partizani”, ku sipas tij, faktohet korrupsioni i Sali Berishës e familjes së tij.
“Nuk ka në këtë sallë dhe as në politikën shqiptare një të dytë në nivelin e Berishës që të jetë shpallur ‘non grata’ për shkak të korrupsionit në nivel të lartë, për pasurimin e njerëzve të tij të afërt dhe aleatëve të tij politikë”, tha Balla.
Ndaj, sipas tij, “kur Berisha të ngrejë akuzën për korrupsion ndaj kujtdo në politikë, duhet ta injorojmë të gjithë”.
“Sali Berisha duhet të sqarojë korrupsionin e vet. Arsyet se përse SHBA-të kanë mbërritur në këtë përfundim. Është dështimi i të gjitha institucioneve shtetërore, nga tatimet, te pastrimi i parave, tek krimi ekonomik, Prokuroria Speciale Antikorrupsion. Është dështim i tyre se e gjithë Shqipëria e di që Berisha është pronari “de facto” i një televizioni. Kjo a mund të na shqetësojë të gjithëve? Ku është pastrimi i parave? Pse nuk hetohet me çfarë parash financohet. AMA e ka shumë të kontrolluar fushën e veprimit të vetë, nuk kontrollon dot se ku i merr paratë ky televizion”, tha Balla gjatë fjalës së tij nnë Kuvend.
Po ashtu, sipas tij, edhe Tatimet duhet të veprojnë meqenëse doli skandali i pagave.
“I patë pagat në atë televizion. Pse mendoni që drejtuesi i atij televizioni paguhet me 500 mijë lekë të vjetra. S’ka asnjë dyshim që jo. Ai vjen dhe dërdëllit, ngre gishtin. Si ka mundësi që kanë ato paga. Shkon merr një biznes, një pronë me 10 lekë dhe shkon e shet me 100 lekë, 90 lekëshi është pastrimi i parave. Ku je SPAK, pse s’e çon në fund atë dosje”, tha Balla.
Ai shtoi se “kjo është skema më e paimagjinueshme e pastrimit të parave”. “Kompleksi ‘Partizani’, shikoni faturat se si nga kompania që ka ngritur kompleksin ‘Partizani’ financohet televizioni për të cilin po flas”, tha Balla.
Advertisement