Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano u takua me përfaqësuesit e Misioneve që asistojnë Policinë e Shtetit dhe Oficerët Ndërlidhës në Shqipëri. Në fjalën e tij, Nano ka vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm dhe ka siguruar për gatishmërinë dhe vullnetin e tij e të Policisë së Shtetit, për të thelluar më tej bashkëpunimin.
“E vlerësoj së tepërmi bashkëpunimin dhe asistencën e ofruar nga Misionet, Programet dhe Projektet, që asistojnë Policinë e Shtetit prej vitesh, por edhe të atyre Projekteve, të cilat sapo kanë filluar aktivitetin e tyre. Asistenca teknike dhe mbështetja në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe logjistike të Policisë së Shtetit ka qenë dhe mbetet një faktor kyç në procesin e përmirësimit të standardeve të policimit në Shqipëri dhe përafrimit të këtyre standardeve me ato të vendeve të BE-së. Për garantimin e sigurisë dhe goditjen e krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, parandalimin e terrorizmit, bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit mes partnerëve, autoriteteve dhe agjencive të zbatimit të ligjit, brenda dhe jashtë vendit është i një rëndësie vendimtare, si në nivel kombëtar, ashtu edhe në nivel ndërkombëtar, për forcimin e lirisë dhe sigurisë së vendeve. Më lejoni që edhe një herë t’ju shpreh vullnetin tim personal dhe të Policisë së Shtetit, për të qenë sa më të hapur dhe konkret në kuadër të këtij bashkëpunimi, pasi bashkëpunimi mbi bazën e besimit reciprok është faktor thelbësor në luftën efikase kundër të gjitha formave të krimit dhe në garantimin e sigurisë për qytetarët tanë”, tha z. Nano.
Përfaqësuesit e Misioneve dhe Oficerët Ndërlidhës, veç urimit për detyrën, i kanë shprehur gatishmërinë për ta thelluar më tej bashkëpunimin e krijuar, mes Policisë së Shtetit dhe partnerëve.