Në periudhën e ngritjes së kurbës së numrit të pushuesve, kryeministri Edi Rama i jep një përgjigje me shifra zërave për braktisje të Shqipërisë nga të huajt. Në videon e shpërndarë në facebook Edi Rama thotë se përmes ajrit në vendin tonë kanë hyrë 350 mijë qytetarë më shumë se një vit më parë për muajin korrik.
“Nga aeroporti kanë hyrë thuajse 1 milionë e 200 mijë pasagjerë. E dini sa më shumë se sa vjet? Mbi 350 mijë më shumë. Madje këtë korrik është thyer edhe njërekord tjetër, ai i hyrjeve në një ditë të vetme: 44 mijë! Fatmirësisht për shifrat e aeroportit nuk mund të thonë dot gjë as ato gojët me qime të atyre që nuk pushojnë u zbraz Shqipëria, edhe nga shqiptarët tani, edhe nga turistët, sepse aeroporti i Tiranës po mbush vitin në krye të klasifikimit Europian për rritjen relative me vitet paraardhëse. Ndërsa në vlerë absolute, numër pasagjerësh për numër pasagjerësh, Tirana e ka spostuar në vendin e dytë aeroportin e Beogradit, i cili historikisht ka qenë i pari dhe absolut në këtë rajon”
Shifra të rrituara nga Dhërmiu ku po pushon kryeministri raporton edhe në rrugë tokësore, e konkretisht për kosovarët përmes pikës së kalimit kufitar të Morinës.
“Po edhe shifrat e hyrjeve në Morinë, që i tregon regjistri elektronik i pagesës së autostradës, ku mund lexohet çdo hyrje tregojnë se këtë vit kanë hyrë 175 mijë automjete më shumë se sa vjet, ndërsa në korrik 3 mijë më shumë, se korrikun e shkuar. Pra edhe ajo teoria keqdashëse e përhapur këtë sezon me teori të tjetra për shqiptarët e Kosovës që e paskan braktisur Shqipërinë, është një zero me xhufka”.
Kritikët që shpërndajnë video me plazhe të braktisura i quan hudhra për të mbrojtur Shqipërinë nga syri i keq.
“Askush mos të mendojë se nuk po mbajmë shënime për të nxjerrë mësime nga ky sezon që është shumë i mbarëmbarë, e për të korrigjuar dhe gabime për të adresuar që në sezonin e ardhshëm të kemi edhe më shumë mbarësi, po edhe më shumë cilësi, sepse maja e Shqipërisë 2030 është një objektiv strategjik më një bindje absolute se Shqipëria do të jetë kampionia e padiskutueshme e turizmit dhe jo vetëm e turizmit në këtë rajonin tonë. Pushime të mbara.”/vizionplus.tv