Monika Kryemadhi zhvilloi këtë të martë një takim me strukturat drejtuese te LSI në qytetin e Shkodrës.
Drejtuesja e kësaj force politike tha mes të tjerash se gjithnjë e më shumë socialistet po e gjejnë veten tek LSI edhe për shkak se “Rilindja” shkatërroi PS-në.
Kryemadhi nuk I kurseu akuzat edhe për darken ministrore të Dubait.
Të gjithë socialistët e gjejnë veten pranë LSI-së, sepse Rilindja shkatërroi emrin e Partisë Socialiste duke degraduar në arrogancë, në atë shfaqje të shëmtuar që pamë, kur 3-4 ditë më përpara, tre çereku i Shkodrës, i Laçit dhe i Lezhës ishin kthyer si Venecia, më toka, rrugë dhe shtëpi të përmbytura dhe ndërkohë shikoni ministrat e qeverisë që darkonin në restorante luksoze. Por nuk është vetëm ky problemi. Problemi qëndron që bashkësia e tavolinës ishte një bashkësi që nuk kishte lidhje, Nënkryetari i bashkisë së Tiranës, me një nga klientët VIP të Kryeministrit, 2 ministra të qeverisë, Zëdhënësi i Kryeministrit, oligarku në njërën anë, drejtori në anën tjetër e të tjera me radhë. Dhe sesi arroganca, mungesa e dëshirës apo e të paktën dhembshurisë ndaj atyre familjeve kishte kaluar çdo limit. Dhe pastaj teatri më i madh është kur dëgjojmë dje “Deputetin që duam”, ku dëgjojmë sesi Kryeministri pasi largoi mbi 150 mijë të rinj dhe të reja nga Shqipëria sepse nuk i ofroi punë, nuk i ofroi garancinë e diplomave, ku familjet e tyre u detyruan për të paguar për t’i shkolluar dhe ata nuk kishin asnjë mundësi punësimi, ngritën plaçkat në krah dhe kanë ikur jashtë Shqipërisë.
Sipas kryetares së LSI, tani Rama po bën propagandë me punësimin e të rinjve, në një kohë kur e ka rrënuar biznesin dhe janë mbyllur pa fund vende pune.
Dëgjojmë sesi ai do të fokusohet për punësimin e të rinjve dhe të rejave, ky njeri që jo vetëm nuk punësoi, por mbylli me qindra mijëra biznese në Shqipëri, shkatërroi ekonominë shqiptare dhe e ktheu atë në duart e 2-3 oligarkëve, të cilët nuk janë as oligarkë me punë, janë oligarkë të emëruar. Sepse janë pasuruar me buxhetin e shtetit, me veprimtarinë ku thjesht një firmë e Edi Ramës u ka dhënë atyre 46% të buxhetit të shtetit, me të cilin tallen dhe bëjnë hajgare me paratë e shqiptarëve. Kur ndërkohë shkojmë dhe shikojmë në anën tjetër që kur flitet për t’u rimbursuar dëmet duhet të jesh i formalizuar. Ashtu sikurse unë e thashë në Obot, sipas logjikës së Edi Ramës i bie të formalizojmë lopën, delen, qengjin dhe të vetmin njeri që kemi të pa formalizuar sot është Edi Rama, i cili grabit dhe i varfëron shqiptarët çdo ditë e më shumë.