Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj priti në zyrën e tij ministren italiane për Politikat Rinore, Fabiana Dadone me të cilën folën për bashkëpunimin mes dy vendeve, sidomos vitin që vjen kur Tirana do të mbajë titullin “Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022”. Veliaj tha se fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi është e vetmja mënyrë për të ecur përpara.
“Shpresoj që një pjesë e madhe e aktiviteteve që do të kemi në vitin 2022, si Kryeqyteti Evropian i Rinisë, do të jenë aktivitete me të rinjtë, me vëllezër dhe motra nga Italia, nga shumë komuna dhe bashki të Italisë. Sigurisht, e drejtuar nga ministrja e Rinisë, të cilën e falënderoj shumë, dhe mezi pres që te bashkëpunojme. Shumë prej marredhenieve që lidhen kur njerëzit janë të rinj, janë lidhje që zgjasin gjithë jetën. Shpresoj shumë që këtë vit të kemi mundësi ta forcojmë me shumë këtë raport. Nëse investojmë që sot te të rinjtë nga të dyja anët e Adriatikut, që kuptojnë që fqinjësia e mirë e bashkëpunimi është e vetmja mënyrë për të ecur përpara, do kemi bërë një investim me shumë vlerë”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë i dhuroi ministres italiane “Kullën e Sahatit” në mënyrë simbolike.
Ministrja italiane për Politikat Rinore, Fabiana Dadone tha: “Do ketë një bashkëpunim të ngushtë jo vetëm sa i përket vitit evropian të Rinisë dhe faktit që Tirana do jetë Kryeqyteti Evropian i Rinisë, por edhe për faktin që vendet tona janë të lidhura prej shumë vitesh dhe ndihemi pothuajse ‘kushërinj’. Për këtë arsye, besoj që vënia në zbatim e një ndërveprimi mes të rinjve, përveç bashkëpunimit në aktivitetet kulturore dhe tregtare, mund të jetë shumë e rëndësishme për vendet tona.”