Qeveria e Kroacisë vendosi të enjten që të dhurojë 20,000 vaksina kundër koronavirusit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Të dyja vendet do të përfitojnë nga 10,000 vaksina.
Një javë më herët, Qeveria kroate njoftoi se ka ndarë nga 10,000 doza edhe për Kosovën dhe Malin e Zi dhe 30,000 doza për Bosnje e Hercegovinën.
Nuk u bë e ditur se për cilin lloj të vaksinës bëhet fjalë, por Kroacia prokuron vetëm vaksina të miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), përkatësisht: AstraZeneca, Pfizer/BioNTech dhe Moderna.
Kroacia, vend anëtar i Bashkimit Evropian, ka vaksinuar deri më tash 21.7 për qind të popullsisë. Prej tyre, 6.2 për qind kanë marrë nga dy doza të vaksinës.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kroaci ka arritur në mbi 348,000, ndërsa i viktimave 7,623.
Aktualisht, raste aktive në këtë vend janë 7,866.