Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në lidhje me deklarimet e këtij të fundit për procesin e dialogut me Serbinë, dhe aludimet se atij nuk i janë lënë informacione, dokumente e raporte mbi ecurinë e procesit deri tash.
Abdixhiku në një postim në Facebook, ka thënë se Kurti po bën viktimën pa qenë fare i tillë. Kjo, sipas Abdixhikut është dobësi.
Ai ka shtuar se dokumentet e dialogut janë dhënë në ditën e pranimit të detyrës.
“Dokumentet e dialogut të janë dhënë ditën e pranimit të detyrës. Është ajo dosja e kaltërt që pason me dorështrëngim nga paraardhësi yt. Aty i ke 29 faqe raport. I ke edhe dokumentet e dakorduara në secilin takim. E ke pozicionin politik të Kosovës, e analizën e ekspertëve – të njëjtëve që i ke angazhuar tani për konsultim”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë i Abdixhikut në Facebook:
Kryeministër, Të bësh politikë është një gjë. Të bësh viktimën kur s’je i tillë është e panevojshme – është dobësi.
Dokumentet e dialogut të janë dhënë ditën e pranimit të detyrës. Është ajo dosja e kaltërt që pason me dorështrëngim nga paraardhësi yt. Aty i ke 29 faqe raport. I ke edhe dokumentet e dakorduara në secilin takim. E ke pozicionin politik të Kosovës, e analizën e ekspertëve – të njëjtëve që i ke angazhuar tani për konsultim.
Nëse s’i mbanë mend, ke mundur të pyesësh. Nëse i ke humbur, ke mundur t’i kërkosh sërish.
Nëse të janë dashur informata shtesë nga njerëzit e mi në LDK, jemi pesë minuta larg në Prishtinë. S’jemi të huaj kur është në pyetje vendi. E duam barabartë të gjithë.
Ke mundur ta bësh secilin hap ndryshe përveç ankimit para miqve jashtë. Trego përgjegjësi. S’je më opozitë. Tani je Kryeministër. Udhëheq si i tillë.