Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili shkarkoi nga detyra gjyqtaren e Gjykatës e Shkodrës, Valbona Seknaj (Durraj), pasi kishte probleme me pasurinë.
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Sokol Çomo relator, Ardian Hajdari, Ina Rama, Natasha Mulaj anëtarë, vendosi që të linte në fuqi vendimin e datës 4 korrik të 2019-ës.
Seknaj nuk e kaloi vettingun, pasi i konstatuan probleme në kriterin e vlerësimit të pasurisë.
Në vendimin Nr. 175 të datës 4 korrik 2019, KPK konkludoi se Seknaj ka kryer deklarim të pasaktë, të pamjaftueshëm e të rremë të pasurive, ka mungesë të burimeve të ligjshme për pasuritë dhe shpenzimet; ka kryer fiktivitet në lidhje me dy kontrata noteriale për shitjen e një apartamenti me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore si edhe ka kryer ndërtim të paligjshëm në një truall në Velipojë.