Kosova do të humbasë mbështetësin më të madh në Kongres

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Kosova do të humbasë mbështetësin më të madh në Kongres

Kosova do ta humbasë mbështetësin e saj më të madh në Kongresin amerikan kur përfaqësuesi Eliot Engel të largohet në muajin janar, pas më shumë se tri dekadash në detyrë.

Engel, demokrat, ka përfaqësuar pjesë të Bronksit – një lagje e qytetit të Nju Jorkut me një popullsi të madhe dhe politikisht aktive shqiptare – që nga viti 1989.

Ai ka qenë mbledhësi kryesor i mbështetjes së Kongresit për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, në vitin 2008.

Mbështetja e palëkundur për Kosovën, gjatë dekadave të tëra, e ka bërë atë të famshëm në këtë shtet, të njohur nga rreth 115 vende të tjera.

Advertisement

Kosova ka emëruar një rrugë dhe një autostradë për nder të Engelit dhe, madje, ka lëshuar një pullë postare me fotografinë e tij.

Kjo e ka bërë atë një figurë të diskutueshme në Serbi, vendin që vazhdon ta refuzojë humbjen e Kosovës dhe lobon kundër njohjes së saj nga komuniteti ndërkombëtar.

Megjithatë, largimi i Engelit nga Dhoma e Përfaqësuesve – ku së voni ka kryesuar Komitetin për Punë të Jashtme, duke përdorur pozicionin e tij për të ndëshkuar Beogradin dhe për të mbrojtur Kosovën – mund të mos jetë një rast për Serbinë që të gëzohet.

Engel, 73 vjeç, ka thënë se nuk e ka në plan të pensionohet pas humbjes së tij të befasishme në zgjedhjet paraprake, në verë.

Advertisement

Ai ka thënë se është pyetur nëse do që të jetë ambasador ose nënsekretar në administratën e Joe Bidenit dhe se po i shqyrton opsionet. Kjo ngre pyetjen nëse ai do të vazhdojë të ndikojë politikën e SHBA-së në Ballkan.

“[Ka] shumë gjëra të ndryshme që mund t’i bëj… Nuk do të marr ndonjë vendim tani, por e dini se jam duke menduar”, ka thënë Engel për Washington Examiner, në fillim të dhjetorit.

”Ndoshta bëj diçka me administratën… Disa njerëz kanë sugjeruar që mbase unë mund të jem ambasador”, ka thënë ai.

Pasioni ballkanik

Advertisement

Ndonëse Engel nuk ka dhënë shumë detaje për planet e tij të ardhshme, ai ka treguar se ku qëndrojnë interesat e tij politikë në një seancë dëgjimore të Komitetit për Punë të Jashtme, të mbajtur më 8 dhjetor.

“Nuk e dija pasionin që do të zhvilloja për një cep të vogël të Evropës, të quajtur Ballkan”, ka thënë Engel në këtë seancë dëgjimore, të cilën e ka thirrur për t’i dhënë rekomandime mbi rajonin administratës së ardhshme të Bidenit.

“Kam udhëtuar në çdo vend të Ballkanit Perëndimor disa herë, jam takuar me aq shumë udhëheqës nga aq shumë parti dhe kam dashuruar larminë e pasur të kulturave, etnive dhe feve”, ka thënë Engel.

“Por, asnjë vend nuk më ka prekur zemrën më shumë se Kosova”, ka shtuar ai.

Advertisement

Vendimi i Engelit që në ditët e fundit të tij në Kongres të mbajë seancë dëgjimore për një pjesë të Evropës, që rrallë bën tituj lajmesh në Shtetet e Bashkuara, ishte i rëndësishëm, thonë vëzhguesit.

“Seanca kishte për qëllim të çimentonte trashëgiminë e Engelit në Ballkan, veçanërisht sa i përket Kosovës”, thotë Dan Vajdich, i cili ka mbuluar Evropën dhe Euroazinë për Komisionin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë dhe tani këshillon Dhomën e Tregtisë së Serbisë për tërheqjen e investimeve amerikane në Serbi dhe në Ballkanin Perëndimor.

Engel ka hyrë në Kongres derisa Jugosllavia po ndahej dhunshëm në vija etnike. Ai është përfshirë në shumë mosmarrëveshje rajonale përmes pozitës së tij në Komitetin e Punëve të Jashtme, duke fituar përfundimisht reputacionin si ekspert i Ballkanit.

Ai ka qenë ndër ligjvënësit e parë amerikanë që i ka bërë thirrje administratës së Bill Clintonit të ndërhyjë, në vitin 1998, për të ndaluar veprimet e forcave jugosllave dhe serbe në Kosovë. Padyshim se ka qenë edhe më i zëshmi në Kongres për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga SHBA-ja, një dekadë më vonë.

Advertisement

Engel vazhdon të luftojë për drejtësi për vëllezërit Bytyqi, tre shqiptaro-amerikanë që kanë luftuar në anën e shqiptarëve dhe janë ekzekutuar nga policia serbe në vitin 1999. Vrasësit e tyre nuk janë ndjekur ende penalisht.

“Siç e dini të gjithë, Eliot ka qenë përkrahësi më i madh i Kosovës në Kongresin e Shteteve të Bashkuara”, ka thënë përfaqësuesi Kevin McCarthy (republikan nga Kalifornia), anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme, në seancën dëgjimore të Dhomës së Përfaqësuesve, më 8 dhjetor.

Pozita e ambasadorit

Pozitat e ambasadorëve në Ballkan pritet të hapen në fillim të vitit 2022, kur ambasadorët amerikanë në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë arrijnë kufirin standard të mandatit trevjeçar në një vend.

Advertisement

Administrata e Bidenit mund të caktojë gjithashtu të dërguar të posaçëm për rajonin, përfshirë bisedimet Kosovë-Serbi.

Uashingtoni është ende i përqendruar në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë, që do t’iu hapte derën të dyja vendeve për të lëvizur më pranë anëtarësimit në BE dhe potencialisht në NATO.

Uashingtoni po bën po ashtu presion për reformën kushtetuese në Bosnje, me synimin për të ruajtur integritetin e saj territorial nga kërcënimet e Republika Sërpskës për shkëputje.

Stafi i Engelit nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse ai është i interesuar për post të ambasadorit ose të të dërguarit të posaçëm në Ballkan.

Advertisement

Ronald Neumann, president i Akademisë Amerikane të Diplomacisë dhe një ish-ambasador i SHBA-së, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se dikush si Engel do të ishte më i mundshëm për drejtimin e ndonjë ambasade të madhe, në një kryeqytet të Evropës Perëndimore, si Londra ose Berlini.

Jellena Milliq, drejtoreshë e Qendrës për Studime Euro-Atlantike në Beograd, thotë se Serbia do ta shihte si pengesë nëse Engel përfshihet në bisedimet e paqes Serbi-Kosovë, për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me Prishtinën.

Për të njëjtën arsye, ajo dyshon se ai do të kishte ndikim pozitiv në çështjet rajonale, nëse do të caktohej ambasador në Kosovë ose në Bosnje e Hercegovinë.

“Engel nuk do të ishte lajm i mirë për negociatat midis Prishtinës dhe Beogradit. Ai është bërë shumë i njëanshëm dhe është plotësisht jashtë rrjedhave për atë që po ndodh në terren në Serbi. Ai ende e shikon Serbinë përmes [prizmit të]viteve 1990”, thotë Milliq.

Advertisement

Seanca dëgjimore e 8 dhjetorit ishte shembull, thotë ajo.

Engel, në atë seancë, ka folur për disa mangësi të Serbisë, përfshirë dështimin e saj për të ndjekur kriminelet e luftës, ngecjen e demokracisë nën presidentin Aleksandar Vuçiq dhe lidhjet e ngushta ushtarake të Serbisë me Rusinë. Engel ka kritikuar edhe politikën aktuale të SHBA-së për Kosovën, duke e cilësuar si më të favorshme për Serbinë.

“Ne i amortizojmë marrëdhëniet tona dypalëshe në atë masë saqë ne, Shtetet e Bashkuara, i kufizojmë zgjedhjet e Kosovës, për të shmangur zemërimin e Beogradit”, ka thënë Engel.

Shumë analistë të Ballkanit në Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Engel ka pasur të drejtë që i ka vënë në dukje ato çështje.

Advertisement

Por, Milliq thotë se Engel nuk ka pranuar disa “ndryshime pozitive” që kanë ndodhur gjatë viteve në Serbi, përfshirë respektimin e integritetit territorial të Bosnjës dhe “bashkëpunimin” me Gjykatën Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi – pavarësisht dështimit të Beogradit për të ekstraduar kriminelët e dyshuar në Hagë.

Milliq thotë se Engel ka minimizuar edhe vdekjet e 2,000 serbëve gjatë luftës në Kosovë, më 1999.

Vajdich thotë se komentet e Engelit e bëjnë “politikisht të vështirë” për politikanët në Beograd që të mbështesin lidhje më të forta me Shtetet e Bashkuara dhe ato përdoren nga Rusia për qëllime propagandistike dhe për të krijuar ndarje midis Serbisë dhe Perëndimit.

“Mesazhi rus është se Amerika nuk do t’ju pranojë kurrë dhe gjithçka që i intereson është Kosova”, thotë Vajdich.

Advertisement

Janusz Bugajski, ekspert për Ballkanin në Fondacionin Jamestown në Uashington, thotë se Engel mund të bëjë ende punë për Ballkanin në administratën e Bidenit, të cilat nuk lidhen me bisedimet e paqes midis Kosovës dhe Serbisë, të tilla si puna me evropianët për të luftuar ndikimin rus dhe kinez në rajon. Engel, sipas tij, ka përvojë të gjerë me marrëdhëniet transatlantike.

“Ka shumë mundësi” për Engelin në administratën e Bidenit, disa prej të cilave do të ishin “më të ndjeshme ndaj Beogradit”, thotë ai.

Asnjë humbje për Kosovën?

Tanya Domi, eksperte për Ballkanin në Universitetin Columbia, thotë se nuk pret që largimi i Engelit ta dobësojë mbështetjen e SHBA-së për Kosovën.

Advertisement

Engel, sipas saj, mund të jetë bërë i zëshëm për Kosovën dhe çështjet e tjera të Ballkanit, pjesërisht për faktin se vëmendja e Shtëpisë së Bardhë për rajonin ka rënë gjatë viteve.

Kjo ka ndryshuar në fund të administratës së Donald Trumpit, me emërimin e Richard Grenellit, në vitin 2019, si i dërguar special në bisedimet Kosovë-Serbi dhe me nënshkrimin e një marrëveshjeje në shtator për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.

Kjo prirje ka të ngjarë të vazhdojë nën Bidenin, i cili e njeh rajonin nga ditët e tij në Komisionin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë.

Domi parashikon që Biden të merret me çështjen e rajonit edhe më agresivisht se presidentët e mëparshëm.

Advertisement

“Eliot ishte mbrojtës i pazakonshëm i Kosovës. Por, kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë të tjerë që do të dalin [në Kongres]”, thotë Domi.

Engel do të zëvendësohet si kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme nga Gregory Meeks (demokrat nga Nju Jorku), i cili do ta marrë detyrën më 6 janar, kur Kongresi që është zgjedhur më 3 nëntor, të mblidhet për herë të parë.

REL

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy