Bashkimi Evropian konfirmoi se takimi në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivelin e negociatorëve, do të zhvillohet të mërkurën, më 7 korrik.
Para këtij takimi, delegacionet e të dyja palëve do të kenë takime të ndara me përfaqësues të Bashkimit Evropian.
Delegacioni i Kosovës do të takohet me përfaqësuesit e BE-së më 6 korrik, ndërsa ai i Serbisë më 7 korrik.
Më pas do të zhvillohet takimi i të dyja ekipeve, me ndërmjetësimin e BE-së.
Janë këto bisedimet e para në këtë nivel që nga takimi i parë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 15 qershor.
Delegacioni i Kosovës do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ndërsa ai i Serbisë nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Burimet e BE-së në Bruksel nuk kanë saktësuar se cilat do të jenë temat e këtyre takimeve, por kanë paralajmëruar se do të flitet edhe për marrëveshjet e arritura deri më tash, si dhe për ecjen përpara të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Ky takim thuhet se do të shërbejë edhe për të përgatitur një takim të ri mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili pritet të zhvillohet kah fundi i këtij muaji në Bruksel.
Në BE vazhdojnë të përsërisin se marrëveshjet e arritura më parë në dialog duhet të zbatohen, përfshirë edhe atë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Për këtë, BE-ja pret që Kosova të dalë me propozimin se si të zbatohet, pasi me një vendim të Kuvendit, ajo e ka marrë përsipër këtë obligim ndërkombëtar.
Kurti – Qeveria e të cilit është formuar në muajin mars – ka thënë se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik.