Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar të enjten 453 raste të reja me koronavirus, pas marrjes së 1,470 mostrave.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka njoftuar se brenda 24 orëve janë regjistruar tetë viktima.
“Rastet e vdekjes janë nga komunat: Suharekë 2 raste (68, 63 vjeç), Prizren 1 rast (81 vjeç), Klinë 1 rast (72 vjeç), Lipjan 1 rast (78 vjeç), Kamenicë 1 rast (76 vjeç), Shtime 1 rast (61 vjeç), Mitrovicë 1 rast (67 vjeç)”, është thënë në njoftim.
Sipas të dhënave të këtij Instituti të enjten janë regjistruar edhe 483 raste që kanë mposhtur virusin, derisa raste aktive aktualisht janë 11,280.
Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 47,952 të prekur nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi. Prej tyre 1,233 pacientë kanë vdekur.