Komisioni Rregullator pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka miratuar elementet teknikë të detyrueshme të fletës së votimit për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 prill 2021.
Fletët e votimit duhet të jenë prej letre, me ngjyrë, trashësi ose elemente konfigurimi të tilla që të mos lejojnë leximin e votës në pjesën e pasme të saj, si dhe të përmbajnë elemente sigurie.
Fleta e votimit përmban elemente teknikë në formën e kodeve që identifikojnë zonën zgjedhore, qendrën e votimit, si dhe elemente të tjera identifikuese që nuk lexohen me sy të lire (barkod). Ato do të prodhohen në blloqe pa kundërfletë. Numri i serisë së bllokut të fletëve të votimit shënohet në dokumentin që shoqëron bllokun e ambalazhuar, sipas përcaktimeve të KQZ-së.