Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 47-vjeçar i cili posedonte një pako me kokainë. Në njoftimin e policisë thuhet se gjatë një kontrolli fizik të të arrestuarit iu gjetën 400 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, gati për shitje.
47-vjeçari i arrestuar dyshohet se e ndante sasinë e lëndës narkotike në doza dhe e shpërndante në Tiranë. Ndalimi i tij u bë në zonën e “Komunës së Parisit” në Tiranë, në rrugën “Bill Klinton”.
“Në rrugën “Bill Klinton”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasin A. Zh., të cilit, gjatë kontrollit fizik, i gjetën dhe i sekuestruan 400 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë.
Nga hetimet ka rezultuar se ky shtetas, pasi siguronte lëndë narkotike kokainë, e përgatiste atë në doza dhe i shpërndante ato në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në zonën e Komunës së Parisit”, thuhet në njoftim.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.