Një ditë më parë u sekuestruan rreth 400 kilogramë kokainë në një kontejnerë me mish në Lipjan të Kosovës. 7 persona janë vënë nën arrest deri në këto momente dhe disa të tjerë janë shpallur në kërkim.
Gazetari i A2, Julian Kasapi, i cili ndodhet në Lipjan, sjell detaje të reja. Ai ka mësuar se kompania në Kosovë ku kishte mbërritur kamioni është ngritur rreth 7 muaj më parë nga Bledar Habili dhe Izet Sheqiri në Kosovë, i cili ka në pronësi të gjithë magazinën. Policia vijon të qëndrojë në këtë magazinë. Kontejneri ku u gjetën 400 kilogramë kokainë vijon të jetë ende në magazinë.
Deri tani janë vënë në pranga 7 persona, ndërsa grupi hetimor do të kontrollojë edhe kamerat për të parë të gjitha lëvizjet që janë bërë në këtë kompani, sa i përket edhe ngarkesave të tjera që kanë ndodhur në magazinë, e cila ndodhet në Lipjan të Kosovës.
Administratori i kompanisë ka mohuar të kishte dijeni për kokainën. Edhe nga autoritetet shqiptare është arrestuar edhe personi tjetër që ka 40% të aksioneve të kompanisë. Kjo kompani merret me transportin e produkteve.
Sa i përket destinacionit të 400 kilogramëve të kokainës, dyshohet se një pjesë e saj do të kalonte në Serbi, ndërsa pjesa tjetër në Gjermani, në tregun Europian.