Kisha Ortodokse Serbe prej së enjtes ka patriarkun e saj të ri që do të udhëheqë Kishën, në një kohë kur vendi ndodhet në një udhëkryq mes ofertë për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe lidhjeve të forta me Rusinë, aleatin e saj të madh.
Peshkopi 59 vjeçar Porfirije Periç, i parë si një modernist brenda kishës konservatore, do të jetë patriarku i 46-të i Serbisë dhe pasardhësi i Patriarkut Irinej, i cili vdiq në nëntor nga koronavirusi në moshën 90 vjeçare.
“Sinodi i Shenjtë i Ipeshkvijve zgjodhi Shkëlqesinë e Tij Metropolitin e Zagrebit dhe Lubjanës, Porfirije, si Patriarkun Serb.
Si një nga klerikët dhe intelektualët më të shquar bashkëkohorë, ai mban marrëdhënie miqësie personale dhe bashkëpunim të ngushtë me priftërinjtë dhe përfaqësuesit e kishave dhe komuniteteve të tjera fetare”, shkruhet në deklaratën e Kishës Ortodokse Serbe
Porfirije do të drejtojë një kishë me rreth 12 milionë besimtarë në Serbi, pesë Republikat e tjera ish Jugosllave, Kosovën dhe dioqezat në Shtetet e Bashkuara, Australi dhe Europën Perëndimore.
Kisha dhe qeveria në Beograd gëzojnë mbështetjen e Rusisë në refuzimin e tyre për të njohur pavarësinë e Kosovës. Serbët dhe kisha e tyre e konsiderojnë Kosovën si djepin e krishterimit ortodoks serb dhe shtëpi e disa prej manastireve dhe vendeve fetare të tyre më të rëndësishme.