Zhvillime politike të paprecedenta dhe shokuese janë pritur në Mal të Zi që në janar të këtij viti, në të cilat përfshihej rrëzimi i qeverisë me anë të mocionit të mosbesimit dhe ngjitja e politikanit shqiptar, Dritan Abazoviç në pozicionin e kryeministrit. Vetëm tre ditë kanë kaluar që nga e premtja e kaluar, kur Parlamenti i Malit te Zi votoi për rrëzimin e qeverisë, me 43 vota pro dhe 11 kundër, dhe tashmë ka zëra të fortë që sugjerojnë se politikani me origjinë shqiptare, Dritan Abazovići do të bëhet kryeministër.
Këto pritshmëri janë forcuar edhe më tej nga Deputeti i koalicionit shqiptar “Bashkë nji za”, Fatmir Gjeka, i cili ka folur më shumë rreth situatës së krijuar, duke u shprehur se ka mundësi reale që Dritan Abazoviç të bëhet kryeministri i ri i Malit të Zi.
Në një intervistë për televizionin T7, deputeti shqiptar në Mal të Zi tha se qeveria që ra të premten, ka gjashtë muaj që ka humbur besimin, e dhe se së fundmi është rrëzuar edhe formalisht.
“Mund të flitet dhe ka mundësi reale, megjithëse derisa të ndodhë kjo dhe derisa shkojnë bisedimet për t’u formuar qeveria e re, por në këtë kahje është duke shkuar situata. Dritani apo kushdo qoftë, detyrat e tij janë ato që i ceka më lartë (integrimi drejt Perëndimit).
Qeveria e 42-të e Malit të Zi, ka ndodhur që te ketë një iniciativë për votëbesim dhe të ketë notë negative nga parlamenti etë bie. Ka qenë më se e ditur që kjo qeveri do ta ketë jetën e shkurtër, duke ditur që në fillim subjektet shumicë kanë pasur rrugë të ndryshme. Ka më shumë se gjashtë muaj që qeveria s’e ka shumicën, por formalisht ka rënë mbrëmë”, ka thënë Gjeka.
Ndërkohë, kërkesat e ndërsjella për shkarkimin e ekzekutivit në Mal të Zi janë epilogu i krizës disa mujore, si ndërmjet parlamentit dhe qeverisë, ashtu edhe brenda vetë qeverisë.
Si reagim ndaj përpjekjeve për zgjidhjen e krizës në institucionet e sistemit, ditët e fundit janë organizuar protesta në disa qytete malazeze, të drejtuara kundër Abazoviçit por edhe të gjithë atyre që mbështesin konceptin e qeverisë së pakicës.
Zv.kryeministri shqiptar Dritan Abazoviç ka propozuar krijimin e një qeverie të re të pakicës, ku disa prej përfaqësuesve të minoritetet kanë propozuar pikërisht Abazoviçin për kryeministër.
Shumica e deputetëve votojnë kundër qeverisë, vetëm 11 nuk dëshironin rrëzimin
Në një seancë të gjatë, e cila nisi që prej orës 14:00, mocionin e mosbesimit e votuan 43 deputetë të opozitës dhe të grupit parlamentar “Bardhezi”, ndërsa kundër ishin 11 deputetët (Demokratët, të Drejtat dhe Mali i Zi i Bashkuar).
Para votimit, deputetët e Frontit Demokratik (DF), Lëvizjes për Ndryshim (PzP) dhe Partisë Popullore Socialiste (SNP) u larguan nga salla plenare. Në total votuan 54 deputetë, për mosbesim 43 deputetë, kundër mosbesimit 11 deputetë, kështu që Kuvendi i ka votuar mosbesimin Qeverisë së Malit të Zi. Në sallë nuk ishte as Kryeministri Zdravko Krivokapiq. Demokratët thanë se votuan “kundër tradhtisë” dhe “kundër mosbesimit”.
Një ditë më parë në parlamentin e Malit të Zi nuk mori mbështetjen e shumicës nisma e Kryeministrit të Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç për shkarkimin e Zv/ Kryeministrin Abazoviç. Krivokapiç e akuzoi Abazoviç se, “me konceptin e qeverisë së pakicës po mashton opinionin dhe po injoron rezultatin e zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi”.
Shënjestrohet Dritan Abazovići, kryeministri i kohës Zdravko Krivokapić kërkon shkarkimin
Shumë e vlefshme është në këtë rast fjala e urtë popullore “kush kërkon t’ia bëjë gropën tjetrit, bie vetë brenda”. Kjo për arsye se Kryeministri tashmë i shkarkuar i Malit të Zi, Zdravko Krivokapić ka kërkuar që Dritan Abazovic të hiqej nga detyra, madje e ka formalizuar këtë objektiv, duke i dorëzuar Kuvendit edhe një iniciativë.
Në vend të Abazovićit, ai ka propozuar ministrin e Financave, Milojko Spajiq, për zëvendëskryeministër të ri në Qeverinë e Malit të Zi.
“Sot i dorëzova Kuvendit të Malit të Zi një iniciativë për zëvendësimin e Dritan Abazoviqit, Evropa tani! Për një Mal të Zi të shëndoshë”, ka shkruar Krivokapiq në kohën kur përflitej se Abazoviqi kishte gjasa të zgjidhej kryeministër, me dritën jeshile të disa partive të tjera.
“Shpëton” Abazovići, deputetët malazezë nuk mbështesin nismën e Krivokapićit
Zëvendës kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazović nuk është shkarkuar në seancën e jashtëzakonshme të parlamentit më 3 shkurt 2022, pasi shumica e deputetëve nuk e mbështetën propozimin e kryeministrit për shkarkimin e tij.
Nga gjithsej 81 deputetë sa numëron ka Parlamenti 77 ishin të pranishëm dhe vetëm 20 deputetë ishin për miratimin e rendit të ditës. Propozimi për të shkarkuar zv/kryeministrin Abazoviq u iniciua nga kryeministri Zdravko Krivokapiq si përgjigje ndaj nismës së mëparshme të Lëvizjes Qytetare të Ura dhe partive opozitare për të votuar mosbesimin ndaj qeverisë së Krivokapiqit.
Ai sërish akuzoi Abazovićin se “planifikoi gjithçka shumë kohë më parë” me Partinë Demokratike të Socialistëve (PDS) të Gjukanoviqit.
“Zëvendëskryeministri Abazoviq, së bashku me PDS- në – që i humbi zgjedhjet e 30 gushtit të viti 2020 – me 4 shkurt duhet të votojnë mosbesimin ndaj kësaj qeverie. Jam plotësisht i vetëdijshëm se do të shkarkohet kryeministri dhe kjo qeveri”, tha Krivokapiq.
Ndërkaq para nisjes së seancës, zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq u tha gazetarëve, se është e parëndësishme se si do të vendosin deputetët për largimin e tij dhe theksoi se gjëja më e rëndësishme për të ishte që Mali i Zi të ketë një qeveri të re evropiane, duke e zhbllokuar rrugën e saj drejt BE-së. “Të gjithë deputetët le të votojnë ashtu siç mendojnë. Unë pres që të votohet rënia e qeverisë”, deklaroi ai, ka raportuar Deutsche Welle.
Kush është Dritan Abazovići?
Dritan Abazovic është politikan malazez, kryetar i partisë Aksioni i Bashkuar për Reforma që nga maji 2017, ka qenë deputet i Kuvendit të Malit të Zi, nga viti 2012 deri në vitin 2020, kur ka marrë detyrën e zëvendëskryeministrit për sigurinë kombëtare në kabinetin e Zdravkos. Krivokapiq.
Në janar të vitit 2022. Dr. Dritan Abazoviq, është emëruar anëtar i Bordit Këshillimor të Institutit për Lirinë e Besimit dhe Sigurisë në Evropë (IFFSE).
Ai lindi në Ulqin në një familje shqiptare. Pasi mbaroi shkollën fillore dhe të mesme në Ulqin, Abazovic u diplomua në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës, duke u bërë valektor dhe fitues i “Distinktivit të Artë” dhe “Kartës së Artë” të Universitetit të Sarajevës. Ai ka kryer magjistraturën në vitin 2008 në Fakultetin e Shkencave Politike, në Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Universiteti i Malit të Zi. Ka përfunduar doktoraturën në vitin 2019, në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës, disertacionin e doktoraturës me temë “Politika globale – Aspekte Etike të Globalizimit”.
Karriera politike
Abazovici ishte një nga themeluesit e partisë politike social liberale Mali i Zi Pozitiv në vitin 2012. Në zgjedhjet parlamentare malazeze të vitit 2012, partia fitoi 7 nga 81 vende, duke bërë që Abazovic të bëhej anëtari më i ri i mbledhjes së re të Parlamentit të Malit të Zi. Në vitin 2014, pas një ndarjeje në parti, Abazovic u largua nga Mali i Zi Pozitiv, duke shërbyer si deputet i pavarur përpara se t’i bashkohej Aksionit të Reformës së Bashkuar (URA) të sapothemeluar në vitin 2015. Ai është aktualisht president i URA dhe një nga katër përfaqësuesit e saj parlamentar.