Kina mund t’i marrë Malit të Zi një pjesë të bregdetit

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Kina mund t’i marrë Malit të Zi një pjesë të bregdetit

Kina raportohet se i ka kërkuar Malit të Zi një pjesë të bregdetit për të shlyer borxhin që Podgorica ka marrë nga Pekini për ndërtimin e një autostrade që kalon mespërmes vendit fqinj. Lajmi u bë i ditur nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, e cila ka kritikuar Viola von Cramon, ka kritikuar vendimin e Bashkimit Europian për të mos e ndihmuar Malin e Zi që të shlyejë borxhin ndaj Kinës.

Ajo shprehet në një postim në Twitter, ku ka shpërndarë një intervistë të saj për median serbe “N1”, se kjo mund të çojë në atë që është parë tashmë në Greqi, që Kina të marrë si kompensim një pjesë të bregdetit në Mal të Zi. Sipas mediave serbe, borxhi i Malit të Zi ndaj Kinës është rreth një miliard dollarë.

“Nuk jam e sigurt se është një vendim i zgjuar nga ana strategjike”, shkroi anëtarja e Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian në Twitter. Ajo ka akuzuar presidentin aktual të Malit të Zi Milo Gjukanovic, partia e të cilit qeverisi me vendin për tri dekada, deri para pak muajsh për shkeljen e interesave kombëtare.

Diplomatja gjermane tha se është detyrë e Qeverisë së re të përballet me borxhin e krijuar.

Advertisement

“Udhëheqësit e korruptuar, si presidenti Milo Gjukanovic, kanë shkatërruar me vite vendin. Tani Qeveria e re duhet të shlyejë borxhin. BE-ja ka bërë tashmë një gabim në Greqi dhe Kina mori portin e Pireut. Tani Kina ka shansin që nëse Mali i Zi nuk mund të shlyejë borxhin të marrë pjesët kryesore të vijës bregdetare të Malit të Zi”, tha ajo.

Podgorica zyrtare, para tri ditësh i bëri kërkesë BE-së për ndihmë në shlyerjen e borxhit, por u refuzua. Sipas gazetës malaziase “Vijesti”, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se ky institucion nuk shlyen borxhe të marra nga pala e tretë. Gazeta shkruan se kreditë janë marrë para dhjetë vjetësh.

Edhe pse Podgorica ka arritur të thithë një sërë investimesh infrastrukturore nga Kina, të cilat kanë kontribuar ndjeshëm në zhvillimin e vendit, Podgorica duket po përballet me anën e errët të asaj që njihet si “diplomacia e borxheve” të Kinës.

Për çfarë projekti bëhet fjalë?

Advertisement

Mali i Zi i ka kërkuar dy javë më parë ndihmë të BE-së të ripaguajë një hua prej miliardë euro që i mori Kinës për të ndërtuar pjesën e parë të një autostrade, i cili nëse nuk shlyhet sipas ekspertëve mund të çojë në falimentimin e Malit të Zi. Ky borxh iu ofrua Malit të Zi nga Pekini si “ndihmë financiare” për ndërtimin e autostradës, ashtu siç i është ofruar për një sërë projektesh të tjera infrastrukturore.

Kina ka financuar ndërtimin e autostradës Bar-Boljare, e cila do të lidhë Serbinë, Malin e Zi dhe Italinë, por ky projekt ka ngritur pikëpyetje serioze në Podgoricë. Sipas një sërë ekspertësh, ndërtimi i autostradës do ta çonte vendin në një situatë shumë kritike financiare nëse Mali i Zi nuk do të ishte në gjendje të shlyente kreditë e ofruara nga Kina brenda afatit të caktuar. Ata kanë paralajmëruar madje se falimentimi i shtetit është një nga skenarët më të këqij, por edhe të mundshëm.

Lidhja e qytetit bregdetar të Barit (Tivarit) dhe Boljares në Serbi, në kufirin me Malin e Zi, është pjesë e autostradës Beograd-Bar. Pjesa që do të kalojë përmes Malit të Zi është investimi më i madh atje, që kur vendi fqinj fitoi pavarësinë në vitin 2006. Ajo do të përfshijë rreth 165 km rrugë, 48 tunele dhe 107 ura. Shuma prej 809 milionë eurosh duket jashtëzakonisht e lartë për një vend si Mali i Zi, ndërkohë që asnjë prej politikanë në Podgoricë nuk di të përgjigjet sesi do të shlyen kreditë kineze.

Një sërë ekspertësh ngritën dyshime nëse Mali i Zi duhet të përfshihej një projekt kaq ambicioz, duke marrë parasysh numrin e banorëve dhe mbi të gjitha, nëse autostrada do të jetë fitimprurëse, duke pasur parasysh se kalon nëpër një terren malor pothuajse të pabanuar.

Advertisement

Edhe pse rreziqet janë të mëdha, presidenti Milo Gjukanoviç mbështeti jo vetëm këtë projekt por edhe investime të tjera të ngjashme që vijnë nga Kina. Në vitin 2005, në kohën e Unionit Shtetëror të Serbisë dhe Malit të Zi, Gjukanoviç ishte një nga mbështetësit më të hershëm të autostradës Bar-Boljare. Qeveria argumentoi se ky projekt do të sillte rritje ekonomike në rajonin e pazhvilluar ku do të kalojë, përmirësimin e tregtisë me Serbinë, si dhe përmirësimin e infrastrukturës malazeze. I gjithë ndërtimi është planifikuar në katër faza, e para prej të cilave është një rrugë 41 kilometra e gjatë që shtrihet në veriun kodrinor të vendit fqinj dhe do të përfundojë në maj të këtij viti. Tre fazat e tjerat do të jenë të vështira, për arsyen e thjeshtë se shteti malazez nuk mund të marrë hua shtesë.

Projekti është financuar nga banka kineze “Exim” dhe po ndërtohet nga një kompani e madhe shtetërore kineze, e cila nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me Malin e Zi këtë mars për të përfunduar punën e papërfunduar.

Dy të tretat e punëtorëve janë kineze dhe kompania kontraktore ka lidhur një marrëveshje me Podgoricën që materialet dhe pajisjet e importuara të ndërtimit të kalojnë pa paguar tarifa shtesë.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy