
Ish luftëtari i UÇK Dritan Goxha ka kallëzuar në SPAK ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja.
Gazetarja e Vizion Plus Blerina Cene mëson se kallëzimi është depozituar ditën e djeshme, dhe ka të bëjë me çështjen e tij për ekstradim në Kosovë e më pas në Hagë.
Ish-luftëtari i UÇK u arrestua në fund të muajit korrik të këtij viti me kërkesë të Gjykatës Speciale e cila kërkoi ekstradimin e tij në Hagë.
Por pak kohë më parë, Gjykata e Apelit rrëzoi vendimin e Shkallës së Parë, duke refuzuar në kete mënyrë kërkesën për ekstradimin e tij në Kosove dhe pastaj drejt Hagës.
Prokuroria Speciale e Kosovës e akuzon Goxhajn për veprat penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, parashikuar nga legjislacioni penal i Republikës së Kosovës.
45-vjeçari mohoi akuzat, ndërsa avokatët e tij e kanë quajtur arrestimin e tij në 31 korrik në Tiranë, politik.
“Ulsi Manja në detyrën e ministrit jo vetëm që pranon një letër porosi pa u përcjellë praktika e ardhur për ekstradim nga Ministria e Drejtësiëë së Kosovës me nënshkrimin përkatës të titullarit të saj , por pavarësisht eksperiencës së tij të mëparshme ligjore si prokuror i Prokurorisë së Shtetit, pranon një kërkesë për ekstradim drejt Mbretërisë së Vendeve të Ulta Holandë, i vetëdijshëm se shteti shqiptar nuk ka asnjë marrëveshje ekstradimi me shtetin e Holandës”, thuhet ndër të tjera në kallëzim.