Prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur gjyqtaren Arnisa Këlliçi, pas kallëzimi të rremë të kësaj të fundit se ishte kërcënuar me jetë.
Më 20 janar 2024, Këlliçi bëri kallëzim se ishte kërcënuar me jetë përmes një letre anonime.
“Keni dy fëmijë, mendoni për ta”, shkruhej ndër të tjera në letër.
Ishte vetë gjyqtarja e cila iu drejtua me krëkesë për mbrojtje Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Në shkresën drejtuar KLGj-së ajo i vinte në dijeni se letra e kërcënuese i ka arritur të shtunën e 20 janarit.
Këlliçi kishte depozituar kallëzim edhe në Policinë e Tiranës teksa kjo e fundit e mori në mbrojtje menjëherë atë, familjen dhe banesën.
Çfarë thuhej në letrën kërcënuese
E dashur Arnisa.
Keni dy fëmijë ….. dhe ….. Mendoni për ta!
Si mund të rroni ju, e jo ata e kjo është e rëndë.
Me respekt
Çfarë thuhej në kërkesën që Këlliçi i drejtoi KLGJ-së
Të nderuar!
Para pak ditësh më është bërë me dije nga Kancelari i kësaj Gjykate që kundrejt meje, gjyqtares Arnisa Këlliçi, ka patur një kërcënim me jetë.
Për këtë fakt unë nuk kam prova, por më është bërë me dije se ka një kallëzim të depozituar nga ana e Kancelarit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Sot më datë 20.01.2024, më ka ardhur një letër kërcënuese, që me aq sa mund të deshifroj përmban kërcënime për mua, fëmijët e mi dhe familjen time.
Unë nuk mund të atestoj në asnjë moment për vërtetësinë e kësaj letre.
Thënë kjo, për çdo eventualitet, unë kërkoj një mbrojtje të posaçme, për aq sa ju e shihni të nevojshme.
Një javë më pas, më 26 janar, gjyqtarja deklaroi se ishte kërcënuar në mënyrë indirekte nga Prokurori Adrian Dyrmishi.
Kërkesa e Këlliçit drejtuar Prokurorisë më 26 janar:
“Drejtuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, prokurore Deniona Katro
Unë gjyqtare Arnisa Këlliçi, kam depozituar një kallëzim në lidhje me dy kërcënime të kryera kundrejt meje.
Sot më datë 26 janar 2024, në deklarimet e dhëna përpara jush si Prokurore dhe OPGJ-së, kam bërë me dije se dyshoj që njëri prej kërcënimeve ka ardhur indirekt (nëpërmjet Kancelarit të Gjykatës) nga prokurori Adriano Dyrmishi, i cili ushtron detyrën pranë Prokurorisë suaj.
Po ashtu, pas identifikimit nga hetimet e deritanishme të datës se kur letra kërcënuese e ardhur kundrejt meje është përcjellë në zyrën time, kam bërë me dije se Prokurori ka qenë pikërisht në atë datë në zyrën time.
Duke pasur parasysh këtë fakt, si dhe në kushtet kur jam gjyqtare e po së njëjtës gjykatës, në banë të neneve 78 e 84 të Kodit të Procedurës Penale, kërkoj deklarimin e mungesës së kompetencës së Prokurorisë suaj dhe dërgimin e akteve një Prokurorie të ndryshme më të afërt.
Me vlerësimin për punën tuaj të deritanishme dhe me konsideratë.”
Pas kallëzimeve, Këlliçi u mor në mbrojtje për 3 muaj.
Përfaqësues të KLGJ, ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme diskutuan kërkesën që ka kishte depozituar Këlliçi për mbrojtje të posaçme dhe vendosën të merrej në mbrojtje për 3 muaj.
Ndërsa sot, 7 shkurt 2027, Këlliçit iu komunikua akuza e deklarimit të rremë.
“Në funksion të hetimeve paraprake për sa është kallzuar, nga ana e organit të prokurorisë janë kryer hetime intensive me qëllim sigurimin e provave të ngutshme sikurse administrimi i pamjeve filmike pranë gjykatës, marrja në pyetje e personave, marrja e modeleve të lira dhe eksperimetale, kqyrje dhe sekuestrime pranë institucioneve si dhe kryerja e ekspertimeve dhe në përfundim është arritur në konkluzionin, referuar rrethanave dhe aktit të ekspertimit grafik, se letra objekt hetimi, është shkruar nga vetë kallëzuesja shtetasja A. K”, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Tiranës./vizionplus.tv