Zëvendës ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari deklaroi se në ditën e parë të nisjes së aksionit kundër ndërtimeve pa leje në bregdet janë shkatërruar 15 godina.
Në një intervistë për edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus”, me gazetarin Aleksandër Furxhi, Lamallari tha se ky aksion do të vijojë, deri në lirimin e hapësirës publike.
“Janë 15 godina që rezultojnë pa leje nga dokumentacioni i shqyrtuar, që janë shembur sot, 6 në Velipojë dhe 9 në Ksamil. Ky është një proces që vijon, do të evidentohen edhe ndërtesa të tjera që janë pa leje. Do të vijojë operacioni për shkatërrimin e atyre dhe lirimin e hapësirës publike. Do të ishte absurde që disa njerëz që respektojnë shtetin ligjor marrin të gjithë mundin të aplikojnë për leje, ndërsa të tjerë në kulmin e sezonit turistik përfitojnë në mënyrë të paligjshme. Brenda muajit qershor do të përmbyllet faza e parë. Godinat me shkeljet më flagrante në vijën bregdetare do të shkatërrohen.”
Sa u takon kritikave për angazhimin e Policisë së Shtetit në këtë operacion, Lamallari tha se çështjet e ligjit nuk mund të ndahen në shumë të rëndësishme dhe në më pak të rëndësishme. Sipas tij, kur bëhet fjalë për interesin publik, çdo shkelje ligjore meriton vëmendjen e duhur.