Drejtuesja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, Albana Vokshi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka “spërthyer” ndaj kreut të PD, Lulzim Basha për të cilin thotë se i ka prerë në besë dhe u ka “grabitur” faqen zyrtare të Facebook LDGSH.
Vokshi thekson se i është hequr aksesi për administrimin e faqes, dhe i ka bërë thirrje kreut të PD që të urdhërojë urgjentisht rikthimin e aksesit të faqes së LDGSH e të ndalë sulmet në dinjitetin e mijëra grave demokrate dhe ndërhyrjet brutale në veprimtarinë e LDG-së.
Vokshi thekson se ato distancohen nga propaganda e Bashës, ndaj kërkojnë të drejtën e tyre për akses në faqe.
Reagimi i Albana Vokshi:
Uzurpim dhe prerje në besë –
Lulzim Basha grabit faqen në Facebook të LDGSH
Kohë më parë i kisha dhënë personit përgjegjës për Organizimin Dixhital të Partisë akses si administrator në faqen zyrtare të Facebook të Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, me qëllim që të postonte direkt veprimtaritë e rëndësishme të PD-së.
Por, disa ditë më parë, faqa e LDGSH u “grabit” duke hequr nga administratore e çdo lloj aksesi gratë, përfshi dhe mua, që administronim faqen. Ky është një veprim i paligjshëm, tinzar prej besëpreri, duke shfrytëzuar mirëmbesimin që ju kishim dhënë për akses në faqen e LDGSH.
Tani që e kanë kanë grabitur atë, postojnë propagandën e Lulzim Bashës. Shtiren si gra, dhe ofrojnë në emër të LDGSH edhe sulmet që lidershipi aktual I bën forumit të gruas dhe gjithë anëtatarëve të partisë.
Ata që kanë ekzekutuar urdhërin e Lulzim Bashës, duhet ta dinin se grabitja e faqes së LDGSH, uzurpimi dhe përdorimi pa leje I logos dhe simboleve të LDGSH përbën vepër penale.
Cdokush e ka të qartë që urdhëruesi është Lulzim Basha, i cili po tenton të grabisë çdo pushtet të partisë, duke e kthyer atë në pronë private. I vetmuar në zyrën e tij, Zotit Basha ju dashka edhe faqja në Facebook e LDG-së për “të komunikuar” me gratë dhe demokratët që nuk mund t’i takojë dot.
I kërkoj z. Basha të urdhërojë urgjentisht rikthimin e aksesit të faqes së LDGSH e të ndalë sulmet në dinjitetin e mijëra grave demokrate dhe ndërhyrjet brutale në veprimtarinë e LDG-së.
LDGSH, si organizatë partnere e PD, distancohet nga propaganda e lidershipit të PD, e do vijojë veprimtarinë e saj në promovimin dhe përhapjen e vlerave themelore të një shoqërie bazuar mbi mbrojtjen e gruas dhe nga dhunimi e degradimi moral, si dhe evindetimin dhe propagandimin e vlerave tradicionale morale të familjes dhe gruas shqiptare.