
Akreditimi i Akademisë së Forcave të Armatosura, si një institucion i arsimit të lartë për herë të parë në vitin 2020, ka rritur interesin e të rinjve për tu bërë pjesë e ushtrisë.
Kryebashkiaku Veliaj u takua me studentët e parë të shkollës ushtarake, ndërsa u ka shpërndarë kartat e studentit, përmes të cilave mund të përfitojnë lehtësira në disa shërbime.
ERION VELIAJ
KRYETAR I BASHKISE TIRANE
“Më vjen mirë që sot, mbi 70% e studentëve kanë një kartë studenti, për të cilën u fol shumë, por vetëm kur ka vullnet bëhen gjërat. Së bashku me Nikon kishim vullnet për ta sjellë këtë shërbim edhe këtu dhe u bë. Dua shumë që t’i ftoj të gjithë studentët, që teksa kthehen në tetor për studime, të marrin kartën e studentit, e cila sot ka 1450 shërbime. Disa janë ditore, siç mund të jetë aboneja e autobusit, një supermarket, një kancelari, një mensë. Disa të tjera ndoshta janë më të rralla. U hap Teatri i Operas dhe Baletit, ka edhe aty një ulje, pra shërbime të tilla ku njeriu nuk shkon përditë, por i ka të nevojshme.”
Ndërsa ministri Peleshi shprehu mirënjohjen për vëmendjen e Bashkisë ndaj të rinjve që kanë zgjedhur të bëhen pjesë e Akademisë së Forcave të Armatosura.
“Interesi i të rinjve është i jashtëzakonshëm. Kemi patur 1000 aplikime për 60 vende tek Bachelor këtë vit. Duke filluar nga ky vit do të kemi edhe dy degë të reja në Akademi: ‘Teknologji Informacioni në Fushën e Mbrojtjes” dhe “Navigim Detar në Fushën e Mbrojtjes’”.
Akademia ofron një pagesë mujore për çdo student për të gjithë periudhën e studimit, si dhe akomodim dhe ushqim falas për tre vite. Të rinjte nuk paguajnë asnjë tarifë për studimet dhe në përfundim të tyre punësohen përmes mundësive që japin forcat e armatosura.