Policia ka asgjësuar rreth 700 bimë narkotike kanabis të cilat janë gjetur si pasojë e kontrolleve në zonat e pyllëzuara të Lezhës.
Lidhur me mbjelljen e kësaj lënde narkotike policia deklaron se është në kërkim të autorëve, për të cilët ende nuk ka asnjë gjurmë.
“Nga këto kontrolle, u finalizua faza e 11-të e megaoperacionit policor të koduar “Imazhi”, si rezultat i së cilës: në fshatin Vinjoll, Kurbin, u gjetën të kultivuara në tokë, 456 bimë narkotike cannabis sativa, në fshatin Fushë Milot, Kurbin, u gjetën të kultivuara në tokë, në zonë të pyllëzuar, 171 bimë narkotike cannabis sativa, ndërsa në fshatin Dajç, Lezhë, u gjetën të kultivuara në një pronë publike, 67 bimë narkotike cannabis sativa. Bimët narkotike u asgjësuan përmes djegies, ndërsa një pjesë e vogël e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale’, njofton policia.
Kjo është faza e 11-të e operacionit të policisë për të goditur fenomenin e kanabizimit të zonave të pyllëzuara. Si pasojë e kontrolleve deri më tani janë asgjësuar mbi 15 mijë bimë lënde narkotike të mbjella në zonat e pyllëzuara të Lezhës e Kurbinit.