Fatbardh Kadilli, një nga emrat që garoi përballë Lulzim Bashës për drejtimin e PD-së, kritikoi këtë të fundit për qëndrimin që ka mbajtur për çështjen e ish-kryeministrit Sali Berisha, pas shpalljes së tij “non grata”.
Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim kërkoi nga Basha që të distancohet nga Berisha, por për Kadillin, lideri i opozitës duhet të ndihet i turpëruar që i vihet ultimatum nga diplomatët për një çështje që duhet të ishte shprehur vetë. Ai përsëriti se ka ardhur momenti që Partia Demokratike të shohë nga e ardhmja.
“Është e turpshme që kryetari i Partisë Demkratike vihet me shpatulla pas muri nga Ambasadorja e USA për një çështje që zvarritet prej kohe, për një çështje që bën sikur nuk është. Është e pafalshme që vendimet e nesërme të jenë në kundërshtim me standardin dhe kërkesat e SHBA, vendit që ka një peshë të madhe në krijimin dhe mbështetjen e Partisë Demokratike. Është e papranueshme që Kryetari, pas këtij takimi, të kryejë veprime dhe të marrë vendime të detyruara vetëm e vetëm për të ruajtur karrierën apo karriken, por aspak pse ai beson me sinqeritet tek aleanca strategjike me SHBA. Mbërritja në këtë situatë nuk e rrit besimin tek lidershipi i tij por e zvogëlon atë edhe më shumë në raport me shqipërinë, SHBA dhe demokracinë. Në Kuvendin Kombëtar u bëra thirrje demokratëve “për tu ndarë nga çdo trashëgimi që na kompromenton, që na mban peng. Sado emocione të na lidhin me atë”. Demokratë të shohim nga e ardhmja.”