Normalizohet pas reshjeve të dëborës situata e rrugëve në të gjitha rrugët e Juglindjes së vendit te cilat prej dy ditesh nuk paraqesin asnje problem për drejtuesit e mjeteve.
Me probleme paraqiten rrugët rurale të zonave të thella malore, të cilat sipas prefektit Dhori Spirollari në një pjesë të tyre janë të kalueshme me zinxhir ose goma dimërore.
Ndërmarrja e Shërbimeve Publike Bashkia Korçë është duke punuar për të hapur aksin rrugor Shtyll-Panarit në vendin e quajtur Mashkullorë, aty ku lartësia e dëborës ka kaluar 1 metër.
Burimet thanë se brenda pak ditësh edhe ky aks do të jet i kalueshëm me zhinxhir.
Të njëjtat burime zyrtare thanë se nuk kanë pasur probleme me energjinë elektrike, përfshi edhe zonat malore.
Energjia është rikthyer edhe në 11 fshatrat e Njësisë Administartive të Proptishtit.
Problemi më i madh mbeten rrugët dytësore si dhe rrugicat e të gjitha qyteteve të Qarkut të Korçës, pasi ka munguar ndërhyrja nga ana e bashkive duke u kthyer kështu në shqetësim për kalimtarët.
Në të tilla rrethana nuk kanë munguar edhe dëmtime në fraktura të qytetarëve në Korçë dhe Pogradec.
Drejtoria Rajonale e Arsimit ka bërë me dije se mësimi është zhvilluar normalisht në të gjitha shkollat, me përjashtime të vogëla në shkollat kolektive të zonave të thella malore, aty ku mësimi për shkak të temperaturave të ulta është kryer me orë të reduktuara.