Dhjetëra qytetarë dhe aktivistë kanë protestuar në sheshin “Nënë Tereza” duke kundërshtuar idenë e vaksinimit të detyruar, një masë e vendosur për studentët, pedagogët dhe mjekët.
Pas lajmërimeve në rrjetet sociale, tubimi filloi në orën 11. Qytetarë të grupmoshave të ndryshme dhe persona të njohur në sferën publike kanë artikuluar argumentet e tyre kundër këtyre ideve. Ata e cilësuan masën e vendosur nga qeveria në shkelje të lirive themelore të njeriut.
Në fjalën e qytetarëve pjesëmarrës në protestë kishte argumenta nga më të ndryshmet, duke filluar nga mosaprovimi final i vaksinës, mosnjohja e efekteve afatgjata e deri tek idetë për një konspiraci globale për reduktimin e popullsisë. Protestuesit u shprehën se ky tubim nuk do të jetë i fundit dhe se ata do ta vazhdojnë angazhimin e tyre për këtë kauzë.