Në 6 mars, lushnjarëve u kërkoi të mos e humbasin mundësinë për të sjellë në krye të bashkisë socialisten Eriselda Sefa. Të rinjve kryeministri Edi Rama u la si porosi të bashkohen për t’i thënë jo politikës së ndasisë, siç prezantohet para elektoratit Partia Demokratike, mes Luzim Bashës që kërkon të mbajë karrigen e kryetarit dhe Sali Berishës që kërkon t’ia marrë.
Pjesëmarrjen në zgjedhjet për kryebashkiakun e ri të Lushnjes dhe votën për kandidaten socialiste, Edi Rama e quajti si respekt edhe për të gjithë ata ukrainas që sot nuk mund ta bëjnë për shkak të luftës atje.
Në shenjë solidarizimi, të rinjtë lushnjarë mbanin fjongon me ngjyrat e flamurit ukrainas, për të cilën kryeministri u tha se duhet të mësoni të vlerësoni atë që bashkëmoshatarët tuaj nuk e kanë, lirinë.
Pas takimit me të rinjtë, kryeministri Edi Rama u ndal në Lushnje edhe në një takim për Këshillimin Kombëtar.