Dy punonjës të kompanisë OSHEE u arrestuan gjatë një operacioni policie në Lushnje, ku u evidentua një ambjent, ish-karburant që përdorej për kultivim të bimeve narkotike.
Policia zbuloi në fshatin Krutje ditën e premte se brenda një ndërtese në aksin Lushnje-Fier, te vendi I quajtur “Pushimi I Shoferit”, një ambient ishte përshtatur si laborator, që shërbente për kultivimin e bimëve narkotike, nëpërmjet ngrohjes me llamba.
Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi M. Ç., 40 vjeç, banues në Lushnje, si dhe u shpallën në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve E. R., 45 vjeç, banues në Tiranë, L. S., 54 vjeç dhe I. B., 27 vjeç, banues në Fier.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë përshtatur ambientin e një ndërtese në pronësi të shtetasit E. R., me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.
Gjithashtu, u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shpërdorim detyre” dy punonjësit të OSHEE, konkretisht shtetasit M. Z., 64 vjeç, banues në fshatin Ardenicë dhe V. L., 23 vjeç, banues në fshatin Gorre.
Të dy punonjësit e kompanisë OSHEE, në kundërshtim me ligjin nuk kanë përmbushur detyrën, (duke mos kontrolluar linjën elektrike, si dhe matësin e energjisë elektrike).
Po kështu është shpallur në kërkim pronari i ndërtesës i cili është organizatori i kësaj veprimtarie kriminale si edhe dy bashkëpunëtorë të tjerë.
Gjatë operacionit shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale pajisjet elektrike që kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike dhe fidanë të dyshuar narkotikë kanabis, të kultivuar në kushte laboratorike.
Gjithashtu gjatë kontrollit të banesës së shtetasit L. S., u gjetën dhe u sekuestruan disa fishekë luftarak dhe pajisje që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike në kushte laboratorike.