Ish-gjenerali i NATO: Baza amerikane në Shqipëri, dëshmi për rëndësinë strategjike të rajonit

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Ish-gjenerali i NATO: Baza amerikane në Shqipëri, dëshmi për rëndësinë strategjike të rajonit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ngrenë në Shqipëri një Komandë të Forcave Speciale.

Në një intervistë për DW, ish-gjenerali i NATO-s, Erhard Bühler, shpjegon pse ky lajm është një sinjal i rëndësishëm për rajonin.

 

Ish gjenerali thekson se prej trembëdhjetë vjetësh, Shqipëria është një partnere e çmuar e NATO-s me shumë kapacitete që mund të sjellë në NATO.

Advertisement

 

DW: SHBA po planifikon të ngrejë një bazë për forcat speciale në Shqipëri. Çfarë është kjo konkretisht?

 

Buhler: Para së gjithash, ka të bëjë me trajnimin e forcave specialë. Sepse forcat speciale varen nga bashkëpunimi shumë i ngushtë shumëkombësh. Kanë nevojë për standarde të njëjta, me të cilat ato trajnohen, ushtrojnë dhe, nëse është e nevojshme, operojnë në misione.

Advertisement

 

Forcat speciale janë njësi elitare që mund të përdoren në komando prapa vijës së armikut, për shembull për zbulim dhe për të luftuar objektivat e armikut me vlerë të lartë, si pozicionet e artilerisë dhe raketave. Gama e detyrave të tyre përfshin edhe shpëtimin e pengjeve dhe evakuimin e njerëzve në rast emergjence dhe arrestimin e kriminelëve të luftës dhe luftën kundër terroristëve.

 

DW: Për cilat misione janë parashikuar këto forca speciale në Shqipëri?

Advertisement

 

Buhler: Nuk mendoj se në plan të parë është një interes i drejtpërdrejtë operacional. Para së gjithash, ka të bëjë me trajnim, si edhe me angazhimin e amerikanëve në këtë rajon. Politikisht, ushtarakisht dhe strategjikisht, është e rëndësishme që t’u thuhet qytetarëve në Ballkan se jetoni në një zonë të rëndësishme që është me interes jashtëzakonisht të lartë për Amerikën, NATO-n dhe pjesën tjetër të Evropës.

 

DW: Pse u zgjodh pikërisht Shqipëria?

Advertisement

 

Buhler: Prej trembëdhjetë vjetësh, Shqipëria është një partnere e çmuar e NATO-s me shumë kapacitete që mund të sjellë në NATO. Dhe sigurisht që ka një interes për të vazhduar mbështetjen e forcave të armatosura shqiptare dhe trajnimin e aftësive të tyre. Së dyti, është e rëndësishme edhe që të ndihmohet trajnimi i vendeve të tjera të NATO-s në rajon – Kroacia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Sllovenia. Kjo gjithashtu sinjalizon se SHBA-të janë të përkushtuara për paqen në Ballkan.

 

DW: A është ky një lloj kthimi i amerikanëve në Ballkan, edhe nga pikëpamja ushtarake? Kujtojmë se ish-presidenti Trump donte t’i tërhiqte trupat nga Kosova.

Advertisement

 

Buhler: Ata nuk u larguan kurrë, por pati një diskutim, siç e patëm me forcat e armatosura amerikane në Gjermani, të cilat Trump donte t’i reduktonte. Pasardhësi e korrigjoi atë me të drejtë. Tani bashkëpunimi me vendet e NATO-s po bëhet edhe më i madh dhe kjo duket edhe me këtë seli, që do të ngrihet në Shqipëri.

 

DW: Rajoni ka vazhdimisht tensione ndëretnike. Por së fundi ka pasur tensione edhe në Shqipëri, ish-kryeministri Sali Berisha, i cili është shpallur persona non grata nga SHBA, po përpiqet të marrë në dorë sërish kryesinë e partisë. Çfarë roli luajnë zhvillime të tilla në vendimin e amerikanëve?

Advertisement

 

Buhler: Ngjarjet në politikën e brendshme dhe demonstratat, që mund të ndodhin herë pas here në çdo vend, nuk janë vendimtare për një vendim të tillë. Faktori vendimtar është trajnimi i forcave speciale dhe interesi i fortë për t’i dhënë Ballkanit Perëndimor një të ardhme paqësore. Ngjashëm me trupën e KFOR-it në Kosovë: Ajo nuk është vetëm në Kosovë një garanci se ky vend nuk do të mbetet vetëm, por e rrezaton atë garanci në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

 

DW: Ju keni qenë në rajon disa herë, mes të tjerash edhe si Komandant i Përgjithshëm i KFOR-it. Si e vlerësoni situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor?

Advertisement

 

Buhler: Në Kosovë, shoh përparim të dukshëm në sektorin e sigurisë. Unë jam gjithmonë i lumtur kur shkoj në Kosovë dhe shoh se çfarë mund të bëjnë policët në të vërtetë. Kjo u pa gjatë verës së shkuar, gjatë operacionit policor për zbatimin e ligjit në veri. Në një rrugë tepër të suksesshme deri më tani ka hyrë edhe Forca e Sigurisë së Kosovës. Nga ana ushtarake, shoh më pak sfida për të ardhmen. Ajo që më shqetëson pak është se retorika nacionaliste në Ballkanin Perëndimor nuk po zvogëlohet, por po rritet.

 

DW: Cilën retorikë keni parasysh?

Advertisement

 

Buhler: E kam fjalën kryesisht për ata që kërcënojnë se do të përdorin forcat e armatosura ose që duan t’i nxjerrin forcat e armatosura nga Federata, si dëgjohet në Bosnjë -Hercegovinë të nxitur nga disa politikanë nga Serbia. Mendoj se palët bëjnë mirë të ulen dhe të bisedojnë si kanë punuar politikanët këtu në Evropën Qendrore pas Luftës së Dytë Botërore, dhe të nënvizojnë pajtimin dhe jo idetë nacionaliste. Por edhe pala evropiane duhet të bëjë më shumë, jo vetëm për të lehtësuar barrën e amerikanëve. Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE duhet të jetë më I shpejtë. Ky nuk është një akt bamirësie, por në interesin tonë të mirëfilltë.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy