Deputeti i PD-së, Ferdinand Xhaferaj ka thirrur këtë të enjte një interpelancë me ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, lidhur me projektin e Portit të Durrësit.
Balluku deklaroi se në të do të investojë ” Emaar Group”, njësoj si ka bërë në Malin e Zi, ndërsa shpjegoi të gjithë procedurën e ndjekur për këtë investim, që nga nënshkrimi i marrëveshjes së qeverisë shqiptare me qeverinë e Emirateve të Bashkuara për investime, deri te vënia në zbatim e projektit.
Fjala e ministres Balluku:
Dua të sqaroj një tymnajë të madhe të hedhur sipër një projekti, që e vendos Shqipërinë në hartën e vendeve atraktive sa i përket turizmit. Dikur kjo opozitë, të dyja gjysmat bashkë, na tregonin me gisht Malin e Zi, si ishte bërë një vend i preferuar nga gjithë bota. Një nga investitorët në Mal të Zi, është pikërisht ai që ka shprehur dëshirën për të ndërtuar dhe në Durrës. Portet përfaqësojnë një potencial shumë të madh për rritjen ekonomike të vendit. Rivitalizimi i porteve si stacione në funksion të zhvillimit, është gur themeli mbi të cilin është vendosur dhe do të ndërtohet vizioni për infrastrukturën. Janë parashikuar ndërhyrje të thella në zonën portuale Durrës-Porto Romano.
Sic jeni në dijeni, përmes një gare transparente që ju as e imagjinoni, as i keni kryer ndonjëherë, ne bëmë një garë ndërkombëtare, ku morën pjesë 14 kompani. Ju pëlqen apo jo, juve që keni dhe sensitivitetin për ambientin, diellin, etj, duhet të dini që në Durrës ka pasur dhe protesta, duke nisur nga ndotja e ambientit, për të përfunduar te trafiku i rënduar, për shkak të maumeve që kalojnë edhe sot e kësaj dite mes qytetit të Durrësit. Duke marrë parasysh këto problematika, kemi marrë masat që Porti komercial i Durrësit të pozicionet në Porto Romano, një zonë industriale kjo, që ka një plan të pastër zhvillimi infrastrukturor.
Do lexoj të gjitha hapat që janë ndjekur:
Në nëntor 2020 qeveria shqiptare dhe ajo e Emirateve nënshkruan një marrëveshje për të nxitur sipërmarrjen. Palët u zotuan të inkurajojnë bashkëpunimin ekonomik e tregtar. Palët morën përsipër të inkurajojnë bashkëpunimin në fusha si industria, turizëm, infrastrukturë, bujqësi, etj. Palët u zotuan për tre projekte, rizhvillimi i ballinës së Portit të Durrësit, investimet në fushën e bujqësisë, si dhe investimet në fushën e turizmit.
Në dhjetor 2020, ministri i Emirateve m’u drejtua me një letër mua dhe ministrit të Mjedisit, ku shprehte interesin për investim në Portin e Durrësit. Më 28 janar 2021, i kthyem përgjigje z. Alabar për interesin e investimit.
Më 1 prill 2021 u mbajt mbledhja e parë e përbashkët për investime mes dy vendeve. Pala emiratase angazhoi disa nga strukturat investitore më në zë të atij vendi. Tani fillojmë me procesin, ku në gusht 2021, u miratua akti i përputhshmërisë.
Pyetja nga do të vijnë paratë e ka marrë shpesh përgjigjen. Investimi vjen nga kompania Siphony, që është pronë e z. Alabar. Është një projekt që përfshin 79 hektarë nga Porti i Durrësit. Ndërtimi i marinës dhe strukturave akomoduese synon punësimin e 12 mijë punonjësve, përgjatë të gjitha fazave. Projekti do të përbëhet nga mbi 12 mijë banesa sociale, 5 hotele, dhe gjithsej 850 dhoma, përfshin 80 mijë metra katror park dhe hapësira, të përhapura 700 metra plazh të gjatë dhe 280 për anije. Faza e projektit përfshin zhvillimin e një zone prej 23 hektarë në fazën e parë. Porti i peshkimit është pjesë e projektit, nuk do të preket, nuk do të ndërtohet aty, do të përmirësohen vetëm strukturat. Aty është parashikuar ngritja e një strukture të përgjithshme, që do të ofrojë shërbime. Janë marrë të gjitha masat edhe për të mos pasur konflikt. Faza e parë parashikon ngritjen e 4 mijë apartamenteve. Projekti do të përmirësojë pamjen e qytetit, ekonominë e gjithë vendit, e mbi të gjitha do të kthejë Shqipërinë në pikën më atraktive turistike.