Opinionisti i shquar Mero Baze ka qenë ndër zërat më kritikë të Albin Kurtit në muajt e fundit. Perspektiva e tij kritike është më e ndryshme nga ajo e shumë prej kolegëve të tij. Periskopi ka kontaktuar me z.Baze për ta pyetur në lidhje me zhvillimet që e përcollën Kosovën pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Baze i ka bërë një varg shkrimesh në të cilat ka sulmuar figurën dhe qëndrimet e z.Kurti, që është kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Vetëvendosje ia doli që në zgjedhjet e 14 shkurtit t’i merrte gati 50 për qind të votave, ose mbi 400 mijë vota.
Kjo nuk e ka trembur z.Baze që t’i dalë kundër pushtetit të ri, duke demaskuar qëndrimet kontroverse apo tendencat e papranueshme politike.
Ai i ka thënë Periskopit për çështjen e Ambasadës në Jerusalem, se nëse Kurti lëviz nga pozicioni i përcaktuar nga shteti i Kosovës kjo nënkupton “shpallje të luftës” së pari ndaj Kosovës, e pastaj edhe “ShBA-ve”.
Baze po ashtu ka vlerësuar që Kurti do ta kishte më të lehtë me Trumpin, se sa me presidenti e ri amerikan, z.Joe Biden.
Intervista është realizuar nga gazetari Shkëlqim Beqiri.
Më poshtë e keni intervistën e plotë:
Komentet e kryeministrit të zgjedhur Albin Kurti tregojnë se Kosova ka zgjedhur kryeministër një frikacak që nuk përballet dot me problemet kryesore dhe madhore të Kosovës. I gjendur mes presionit turk dhe projektit amerikan për njohjen e Kosovës nga Izraeli, Albin Kurti po tregon mungesë integriteti dhe vendim-marrje që janë thelbësore për një lider. Relativizimi i Marrëveshjes së Uashingtonit prej tij, në fakt do të thotë mohim i njohjes nga Izraeli, çka shpresoj se nuk do ta lejoj njeri ta bëj. Nëse e bën ai i ka shpall luftë së pari Kosovës e pastaj SHBA-ve. Nuk besoj se e fiton këtë luftë.
A mendoni se administrata e Joe Biden do ta rishqyrtojë ‘Marrëveshjen e Washingtonit’ sepse Vetëvendosje po pretendon se kjo marrëveshje nuk do të respektohet dhe beson tek Biden për një rishikim?
Administrata amerikane është administratë që vepron mbi parimet e shtetit amerikan dhe strategjinë afatgjate të tij dhe jo sipas tekave të Presidentëve. Administrata e Presidentit Biden e ka thënë qartë që e përshëndet atë Marrëveshje dhe pret të zbatohet. Kjo “euforia” se Biden do jetë i butë me Kurtin ndryshe nga Trump është legjendë urbane. Biden është vërtet ndryshe nga Trump-i, por për fatin tonë ai e njeh aq mirë Kosovën sa nuk mund ta mashtrojë askush. Në këtë aspekt, Kurti do ta kishte më të lehtë me Trumpin se ai nuk e dinte dhe aq mirë ku binte Kosova, kurse Biden njeh me emër e mbiemër shumicën e klasës politike të Kosovës.
Si e konsideroni ‘lojën’ e Kurtit me prioritetet e tij? Zhvendosjen nga pozita 6-7 në atë 4?
Loja është shenja e frikës që ai ka për tu përballur me detyrat si Kryeministër i Kosovës në këtë kohë. Ai kërkon të viktimizohet përsëri, “në emër të kombit”, se gjoja SHBA s’po e lë të qeverisë dhe po e tërheq në agjendën e vet. Atë politikan do ta shikoni gjithë jetën duke bërë viktimën që nuk e lënë të bëj Kosovën, pastaj të bashkohet me Shqipërinë e përralla të tjera. Është tipike cilësia e një lideri populist e hipokrit, që dështimet e veta tenton t’ua faturoj të tjerëve në emër të patriotizmit.
A besoni që z.Kurti do ta ri-vendos masën e reciprocitetit – dhe e cila me shumë gjasë do ta pamundësonte sërish dialogun me Serbinë?
Kurti do të tentoj të bëj gjithçka për të mos bërë asgjë për Kosovën. Një nga këto marrëzi mund të jetë dhe kjo.
Cilat besoni se do të ishin pasojat për Kosovën nëse Kurti me qeverisjen e tij vendos të bojkotojë dialogun përkundër thirrjeve ndërkombëtare?
Nëse kjo ndodh atëhere Albin Kurti do ndërroj pozitat e Kosovës me ato të Serbisë në vitin 1999. Në atë kohë refuzimi i serbëve për të nënshkruar Rambujen solli bombardimin e Serbisë dhe fitoren e shqiptarëve. Tani refuzimi I Kurtit do të sjellë fitoren e Serbisë dhe vënien në pikpyetje të së ardhmes së Kosovës. Nder më të madh se kaq Serbisë nuk I ka bërë askush.