Policia e Tiranës ka arrestuar një 35-vjeçar të shpallur në kërkim të kuadër të megaoperacionit Tempulli 2”. Ka shkuar në 71 numri i personave të ndaluar.
Policia njofton se në rrugën “Gjergj Legisi”, në Laprakë, është lokalizuar, kapur dhe ndaluar shtetasi R. D., 35 vjeç, banues në Tiranë, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Më parë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, janë sekuestruar 14 kg kanabis, 5.3 kg kokainë, 170 gram heroinë dhe 11 peshore elektronike, 4 armë zjarri pistoleta dhe 1 armë zjarri automatik, 70 celularë, 11 automjete, 2 186 000 lekë, 11 610 euro, 630 paund.
Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni.