Gjakmarrja është pista kryesore ku janë fokusuar hetimet për vrasjen e 47-vjeçarit, Prek Tonaj, i cili u ekzekutua me breshëri plumbash mbrëmjen e të dielës në fshatin Grudë e Re në Shkodër.
Sipas burimeve pranë grupit hetimor, më shumë se 10 persona u shoqëruan në polici dhe u morën në pyetje. Mes tyre pati dëshmitarë okular, por dhe të afërm e familjarë të viktimës. Pasi dhanë dëshmitë, ata u lanë të lirë.
Mësohet se në krim morën pjesë të paktën dy persona. Sipas dëshmive të dhëna, nga ana e të pranishëmve në vendngjarje, ekzekutori mbante në kokë një kapele. Pasi u fut brenda në lokal, ai iu afrua 47-vjeçarit te tavolina dhe para se ta qëllonte me kallashnikov i përmendi një emër.
Më pas vrasësi u largua me shpejtësi, ndërsa jashtë e priste një tjetër person. Dyshimet kryesore janë se vrasësit mund të jenë nga fisi Ksolla, me të cilin viktima Prek Tonaj ishte ne konflikt.
Përplasja mes dy familjeve, e cila e ka zanafillën në vitin 1996, ka shkaktuar deri më tani 3 viktima dhe një të plagosur.
Prek Tonaj ishte punonjës i ujësjellësit të Shkodrës dhe sipas banorëve të zonës ai nuk i fshihej gjakmarrjes. 11 vite më parë, 47-vjeçari së bashku me 2 të tjerë, tentuan të vrasin një person në fshatin Vuksan.