Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, Policia e Lezhës ka vënë në pranga një 61-vjeçar, të cilit iu gjetën rreth 1.3 kg drogë.
Lënda narkotike iu gjet në banesën e Preng Gjokës, e futur në dy qese. Sakaq, vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.
Njoftimi i plotë:
Vijon puna për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.
Gjenden dhe sekuestrohen në një banesë 2 qese me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Vihet në pranga pronari i banesës.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, gjatë kontrolleve, duke përdorur hetimet proaktive dhe duke vlerësuar informacionet e siguruara, kanë goditur një tjetër rast të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit P. Gj., në fshatin Kaluer, Njësia Administrative Ungrej, kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 qese me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë rreth 1.3 kg.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i pronarit të banesës, shtetasit P. Gj., 61 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.