Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedimin penal për kandidatin e koalicionit Bashkë Fitojmë për Bashkinë e Himarës Fredi Beleri, i cili akuzohet për blerje votash.
Çështja kaloi nga Prokuroria e Vlores për në SPAK, pasi Beleri akuzohet se ka tentuar të blejë vota në Himarë.
Ai u arrestua ditën e enjte në mesnatë nga policia së bashku me Pandeli Kokaveshin.
Në zgjedhgjet e 14 majit, Beleri fitoi me një diferencë të vogël votash në Himarë, ndonëse ai ndodhet në ambientet e paraburgimit. Pas arrestimit të Belerit, erdhën mjaft reagime nga Athina zyrtare, ndërsa sot do të vijë në Shqipëri sekretari i Ministrisë së Jashtme greke, ku do të takohet me Belerin.
AKUZA
Sipas dokumentit zyrtar, Beleri është arrestuar në flagrancë për korrupsion aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim.
“Arrestimi u krye si autor i dyshuar për kryerjen e veprës penale të ‘Korrupsioni aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim’, parashikuar nga neni 328 e 25 te K. Penal, që ka ndodhur në rrethanat si më poshtë:
Advertisement
Ky shtetas është kapur në flagrancë në Himarë më datë 12.05.2023 ora 00:14 minuta në bashkëpunim me persona të tjerë, duke premtuar dhe dhënë shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës.
Të arrestuarit në flagrancë iu bë e ditur se në bazë të nenit 255 ka të drejtë të ketë mbrojtje, se nuk ka detyrim të bëjë deklarata dhe në qoftë se do të flasë, çfarë do që ai thotë, mund të përdoret ndaj tij në gjykim”, thuhet në dokumentin e firmosur nga OPGJ.
Advertisement