Hoti: Kosova pritet të marrë vaksina për 20% të popullatës

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Hoti: Kosova pritet të marrë vaksina për 20% të popullatës

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se institucionet e vendit janë duke u përgatitur për vendosjen e masave të nevojshme për të parandaluar përhapjen e koronavirusit gjatë festave të fundvitit.

“Institucionet shëndetësore do të mbesim të mobilizuara. Po përgatisim skenarët për masat e nevojshme për festat e fundvitit kur ka frekuentim më të madh të qytetarëve, përfshirë edhe ardhjen e bashkatdhetarëve”, ka thënë kryeministri Hoti përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ai tregon për situatën e pandemisë në Kosovë.

Sipas kryeministrit Hoti, institucionet po punojnë shumë për sigurimin e vaksinës kundër koronavirusit.

“Jemi pjesë e koalicionit COVAX dhe presim të marrim vaksina për 20% të popullsisë. Në anën tjetër, Ministri i Shëndetësisë është në kontakt me kompaninë prodhuese të vaksinës, si dhe po punojmë me vendet partnere për të kërkuar mbështetje direkte nga to”, thotë Hoti.

Advertisement

Vaksinat kërkojnë kushte të veçanta të transportit dhe ruajtjes. Përshembull vaksina e kompanisë Pfizer e cila është miratuar për përdorim në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA dhe disa vende tjera, kërkon kushte të mbajtjes në temperaturë -70 gradë Celsius.

Kryeministri tha se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike po punon në sigurimin e pajisjeve të nevojshme teknike për ruajtjen dhe shpërndarjen e vaksinës në të gjitha komuna.

“Instituti ka bërë gati planin e vaksinimit, duke vendosur me prioritet të moshuarit dhe qytetarët me sëmundje kronike, krahas punëtorëve shëndetësorë të cilët janë në ballë të kësaj beteje”, tha kryeministri Hoti.

Të shtunën, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka njoftuar të shtunën se gjatë 24 orëve të kaluara janë regjistruar edhe 12 viktima nga koronavirusi i ri, që e shkakton sëmundjen COVID19. Sipas raportit ditor të IKSHPK-së, nga testimi i 1.555 mostrave janë regjistruar edhe 524 persona të infektuar me koronavirus.

Advertisement

Kryeministri Hoti, thotë se në dy javët e fundit, si rezultat i masave të vendosura nga Qeveria në konsultim me profesionistët shëndetësorë, është arritur të ulen rastet aktive për rreth 15%.

“Numri i të infektuarve për 100,000 banorë ka rënë nga 257 në 100 raste. Por, situata mbetet e rëndë dhe jemi të detyruar të mbajmë masat pasi burimet e infeksionit janë kudo, në veçanti në ambientet ku ka grumbullim të qytetarëve”, tha Hoti.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 46.118 të prekur nga sëmundja COVID-19, prej tyre 1.186 kanë vdekur ndërsa 33.064 janë shëruar.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy