Gjykata e Posaçme vendosi sekuestro preventive ndaj 7 pronave të ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës të përfshirë në korrupsion me tenderat.
Bëhet fjalë për prona në emër të Mariglen Qatos, Redi Mollës si dhe familjarëve të tyre. Po ashtu sekuestrua shoqëria tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k, si dhe pronat që dyshohet se janë krijuar nga përfitimet e tenderave abuzivë të kësaj kompanie.
Veç kompanisë, nën sekuestro janë vendosur edhe një hotel luksoz në Durrës, 24% e kuotave në shoqërinë tregtare “Mediterranean Investment Group” sh.p.k, me seli në Durrës, regjistruar në emër të shoqërisë tregtare “Restur” sh.p.k, me ortak dhe administrator Redi Molla, ish-Drejtor i Ujësjellës Kanalizime në Bashkinë Tiranë.
“Shoqëria tregtare “Restur” sh.p.k, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të saj, në zotërim të shtetasit Redi Molla, si pasuri vlera e të cilës i korrespondon vlerës së produktit të veprës penale dhe që mund të konfiskohet bazuar në nenin 36/1 shkronja (ç) të Kodit Penal.
Sekuestro është vënë edhe ndaj pasurisë së paluajtshme e llojit truall me sipërfaqe 51.3 m², ndodhur rrugën “Tefta Tashko”, Tiranë, rregjistruar në emër të shtetasve Selim Molla dhe Ollga Molla, si pasuri e përfituar pjesërisht nga burime financimi që rrjedhin nga produkte të veprës penale.
Nën sekuestro janë vendosur edhe 2 apartamente në pronësi të Sanije Qatos, familjare e Mariglen Qatos.
SPAK bëri me dije se pasuritë e sekuestruara dyshohet se rrjedhin nga produktet e veprës penale dhe për këtë shkak është pasuri që mundet të konfiskohet.
Pronat e sekuestruara nga SPAK
- Shoqëria tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të saj, si shoqëri tregtare që është përdorur dhe ka shërbyer si mjet për të realizuar veprat penale, që lejohet të konfiskohet sipas nenit 36/1, shkronja (a) të Kodit Penal.
- Pasuria e paluajtshme e llojit truall me sipërfaqe 506.25 m² dhe ndërtesë me sipërfaqe 164 m², ndodhur rrugën “Tefta Tashko”, Tiranë, rregjistruar në emër të shtetasve S.M dhe O.M, si pasuri e përfituar pjesërisht nga burime financimi që rrjedhin nga produkte të veprës penale.
- Pasuria e paluajtshme e llojit truall me sipërfaqe 51.3 m², ndodhur rrugën “Tefta Tashko”, Tiranë, rregjistruar në emër të shtetasve S.M dhe O.M, si pasuri e përfituar pjesërisht nga burime financimi që rrjedhin nga produkte të veprës penale.
- Shoqëria tregtare “Restur” sh.p.k,së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të saj, në zotërim të shtetasit R.M, si pasuri vlera e të cilës i korrespondon vlerës së produktit të veprës penale dhe që mund të konfiskohet bazuar në nenin 36/1 shkronja (ç) të Kodit Penal.
- Pasuria 24 % e kuotave në shoqërinë tregtare “Mediterranean Investment Group” sh.p.k,me seli në Durrës, rregjistruar në emër të shoqërisë tregtare “Restur” sh.p.k, me ortak dhe administrator R.M, si pasuri vlera e të cilës i korrespondon vlerës së produktit të veprës penale dhe që mund të konfiskohet bazuar në nenin 36/1 shkronja (ç) të Kodit Penal.
- Pasuria e paluajtshme e llojit apartament me sipërfaqe të përgjithshme 122.7 m², me emërtimin B_43, si dhe pasuritë parkim Nr.P24 me sipërfaqe të përgjithshme 42 m² dhe parkim nr.P25 me sipërfaqe të përgjithshme 42 m², për të cilat është lidhur kontrata e sipërmarrjes midis shtetases S.Q. dhe shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k, si pasuri që rrjedh nga produktet e veprës penale dhe për këtë shkak është pasuri që mundet të konfiskohet.
- Pasuria e paluajtshme e llojit apartament me sipërfaqe të përgjithshme 86.4 m², me emërtimin A_42, për të cilën është lidhur kontrata e sipërmarrjes datë 29.09.2023 midis shtetases S.Q dhe shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k, si pasuri që rrjedh nga produktet e veprës penale dhe për këtë shkak është pasuri që mundet të konfiskohet.