Gjermania ka vendosur të heqë tërësisht kufizimet për të gjithë shqiptarët që duan të udhëtojnë drejt këtij shteti.
Në njoftimin e Ministrisë së Brendshme Gjermane, thuhet se, prej datës 20 Qershor, do të lejohet hyrja në territorin e Gjermanisë për të gjithë personat nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia Veriut, si dhe disa shtete të tjera, pa asnjë pengesë.
Ministria e Brendshme e Gjermanisë saktëson se kushdo që është rezident në një nga këto vende lejohet të hyjë pa ndonjë arsye të rëndësishme për të udhëtuar. Thënë ndryshe, edhe për turizëm apo për biznes.
Por, çdo qytetar duhet të plotësojë një nga tre kushtet: test PCR, certifikatë vaksinimi me një prej vaksinave të njohura nga EMA ose një vërtetim qe ka kaluar Covid-in, jo më parë se 28 ditë dhe jo më vonë se 6 muaj.
Gjermania bëhet vendi i parë që zbaton udhëzimin e Bashkimit Europian, i cili mesditën e së premtes, përmes Këshillit, miratoi listën e shteteve për të cilat duhet të hiqen kufizimet, duke ja rekomanduar atë çdo shteti anëtar.
Pas Gjermanisë, edhe Greqia mori te njëjtin hap. Lajmi konfirmohet nga Ministria e Jashtme, e cila deklaron se prej datës 19 qershor, të gjithë shqiptarët mund të udhëtojnë lirshëm drejt Greqisë, duke pasur formularin PLF, PCR ose certifikate vaksinimi ose vërtetim qe keni kaluar COVID-in nga 2 deri ne 9 muaj
Qeveria greke do të shpallë vendimin e saj përfundimtar në datën 23 qershor, por udhëzimet përkatëse pritet të kalohen në pikat kufitare që këtë të shtunë.
Ashtu si dhe për vendet e tjera, udhëtarët duhet të kenë me vete formën elektronike të certifikatës së vaksinimit si dhe do të njihet rapid testi e nuk do të jetë i nevojshëm të kryhet testi PCR.