Prokuroria po vijon hetimet për dy zyrtarët e lartë të ministrisë së financave, sekretarin e përgjithshëm Arlind Gjokutaj dhe drejtorin juridik Fatmir Hoxha, për të provuar marrjen e ryshfetit nga ana e tyre.
Deri më tani, dy zyrtarët, së bashku me përmbaruesin Alban Ruli, akuzohen vetëm për shpërdorim detyre dhe jo për korrupsion. Edhe pse në njoftimin zyrtar prokuroria thotë se Gjokutaj dhe Hoxha kanë vepruar duke pranuar shpërblimin e Ilir Thanës në shumën e 82 milionë lekëve, nuk bëhet e ditur nëse këto lekë janë marrë nga të akuzuarit.
Akuza sqaroi një ditë më parë se 50 milionë lekë nga shuma e mësipërme i janë kaluar në llogari Ilir Thanës, duke e trajtuar atë si ish pronar, një status që në fakt nuk e ka gëzuar asnjëherë.
Ilir Thana në fakt ishte kompensuar në vitin 2015 për një magazinë, dikur pronë shtetërore. Për këtë fakt ishte vënë në dijeni përmes një memoje edhe sekretari i përgjithshëm Gjokutakj, i cili megjithatë kishte firmosur kompensimin si ish pronar të Ilir Thanës në vlerën e 1.2 milionë eurove.
Deri një ditë para arrestimit, ishin kaluar në llogaritë e tij 481 milionë lekë, një pjesë e të cilave tashmë është sekuestruar.
Arlind Gjokutaj është një zyrtar me eksperiencë të gjatë në administratën publike dhe ka mbajtur detyra të larta me fokus luftën kundër pastrimit të parave dhe korrupsionit.