30 persona janë shoqëruar ne polici në lidhje me masakrën në Memaliaj, ku 3 persona u ekzekutuan me breshëri kallashnikovi, ndërsa 1 tjetër mbeti i plagosur.
Ndërkohë efektivët si dhe grupet e policisë, forcat e sigurisë kombëtare dhe RENEA kanë ushtruar dhjetëra kontrolle jo vetëm në Memaliaj e Tepelenë, por edhe në qytete të tjera si Sarandë, Vlorë, Fier, Tiranë, Shkodër etj.
Pista vijon të mbetet ajo e sagës së vrasjes mes dy familjeve Kalemi dhe Papa, të nisura pas ekzekutimit me tritol të 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj në qershor 2022.
Objektiv i sulmit mafioz ka qenë shyqyri kalemi, babai i Andrea Kalemit. Megjithatë burime bëjnë të ditur se objektiv mund të ketë qenë dhe vetë Andrea, kjo për faktin se ky i fundit është liruar nga burgu në Greqi dhe dyshohet se është kthyer sërish në Shqipëri.
Madje të njëjtat burime bëjnë me dije se ka dyshime të forta se Andrea Kalemi, i njohur edhe me emrin Adriatik, gjatë ditëve te fundit ka qenë në zonën e Memaliaj.
Ky informacion është marrë vesh nga armiqtë e tij që kanë organizuar atentatin dhe ku dyshohet se kanë marrë pjesë 2 persona, njëri në rolin e shoferit, tjetri qitësi. Përplasja e ashpër mes dy grupeve rivale ka nisur pas prishjes së pazareve të drogës.
Fillimisht u ekzekutua me tritol Aleksandër Sadikaj në afërsi të rrethrrotullimit të Selitës, mjeti i të cilit u hodh në erë me një shpërthim me telekomandë. Sadikaj ishte kushëriri i Andrea Kalemit.
Pak muaj më pas, po në Selitë, u ekzekutua biznesmeni nga Saranda Edmond Papa. Andrea Kalemi kishte dyshime të forta se në hotelin e Papës u thur plani për eliminimin e Sadikajt. Për vrasjen e Edmond Papës u arrestua miku i Kalemit, ndërsa një tjetër person vijon të jetë në kërkim. Atentat gjithashtu në janar 2024 iu bë edhe vëllait të Andreas, Zamir Kalemit, i cili u qëllua me armë në Tiranë por fatmirësisht i shpëtoi plumbave./vizionplus.tv